KURTHET E LAJÇAKUT DHE HUTIA E PRISHTINËS

18 tetor 18:05

Shoqëria civile, mediat, intelektualët (me disa përjashtime) më tepër kanë qenë të koncentruar në acarimin e klimës politike në vend, përmes një debati refuzues e joparimor, se sa krijimin e një strategjie të përbashkët për të luftuar tendencat dezintegruese të Serbisë brenda territorit të Kosovës. Pa një koncentrim të vëmendjes politike e intelektuale në Prishtinë, nuk mund të ndodhë ndërgjegjësimi në Beograd, por edhe në një pjesë të diplomacisë së BE-së.

Nga Mehmet PRISHTINA

Mirosllav Lajçak po e trajton Republikën e Kosovës si të ishte një krijesë fiziologjike-juridike që ende nuk ka marrë formën e duhur, prandaj, sipas tij, duhet të pësojë ndryshime, në mënyrë që të jetë sa më e përshtatshme për serbët. Diplomatët e kalibrit të Lajçakut, të paktën që mund të kenë nxënë gjatë përvojës së tyre, është gjuha diplomatike. Në rastin konkret, jo vetëm që gjuha diplomatike është zhveshur tërësisht nga lëvozhga e njëanshmërisë, por ajo ka rrezik të shkaktojë keqkuptime edhe më të mëdha në të ardhmen.
Sipas Mirosllav Lajçkaut, Kosova duhet të vazhdojë t’i ngjajë një pasteline, e cila sa herë që ndodhet në duart e serbëve, duhet të pësojë deformime. Sepse, siç tha ai, Kushtetuta nuk është Bibël që të mos ndryshojë.

Nuk besojmë se emisari evropian i BE-së ka ardhur aq i papërgatitur sa të mos dijë se Bashkësia e komunave me shumicë serbe do të formohet, por vetëm sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ky ka qenë edhe verdikti i Gjykatës Kushtetuese, e cila shumë qartë e ka nda shapin nga sheqeri, duke saktësuar qartë se çka është dhe çka nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Mirosllav Lajçak sigurisht ka dëgjuar edhe për Marti Ahtisarin, i cili në Pakon e tij kishte përfshi organizimin pushtetit vendor, duke iu lënë hapësirë të mjaftueshme vetadministrimi serbëve, madje edhe me çmimin e cenimit të kompaktësisë territoriale të shtetit të Kosovës. Sipas kësaj Pako objektet sakrale serbe, përfshi manastiret më të rëndësishme kishin status të eksterritorialitetit, që gëzonin madje edhe mbrojtjen ndërkombëtare nga forcat e KFOR-it.

Tani Lajçak kërkon edhe më shumë. Atij i duken pak këto lëshime që i janë bërë serbëve, që nga Gjashtë pikëshi i Ban Ki Munit e deri te pakoja e Ahtisarit, ku Kosova është trajtuar si një territor eksperimental në të cilin kanë të drejtë të gjithë të sillen si në shtëpi të tyre, përpos shqiptarëve.

Burimi i gjithë kësaj qasje të deformuar ndodhet në Prishtinë. Klasa politike e Kosovës kishte shansin të tregoj sens të lartë shtetndërtimi, mirëpo e humbi këtë shans në momentin kur filloi të rinegocojë me Serbinë për statusin e Kosovës. Dhe kjo ka ndodhur pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës (2008) dhe pas verdiktit të GJND-së në favor të Kosovës (2010).

Askush deri më tani nuk ka dhënë sqarim se pse kjo ka ndodhur, por ajo që është e sigurt janë pasojat katastrofale të këtij qëndrimi defanziv të klasës politike të Kosovës, e cila ishte në pushtet pas pavarësisë e këndej.

Por, nuk është përgjegjësia vetëm e klasës politike. Shoqëria civile, mediat, intelektualët (me disa përjashtime) më tepër kanë qenë të koncentruar në acarimin e klimës politike në vend, përmes një debati refuzues e joparimor, se sa krijimin e një strategjie të përbashkët për të luftuar tendencat dezintegruese të Serbisë brenda territorit të Kosovës.

Diplomacia ndërkombëtare, sidomos ajo e disa vendeve të Europës, prej ku vjen edhe Mirosllav Lajçak, nuk e kanë pasur ndjeshmërinë e duhur për të qenë të drejtë në raport me Kosovën. Kjo diplomaci ka kohë që ushqen njëfarë iluzioni se Kosovës i është dhënë tepër në vitin 1999 me bombardimin e Serbisë, andaj tani është koha, gjithmonë sipas kësaj diplomacie, që ajo çka i është dhënë tepër Kosovës t’i merret.

Kjo është mendësia me të cilën aktualisht udhëhiqet edhe Lajçaku, i cili nuk e ka fare problem që ta trajtojë Kosovën si një vilajet të errët të Ballkanit, ndërkohë që ai ende nuk ka kërkuar nga krerët serbë që ta heqin Kosovën nga Kushtetuta e Serbisë.

Prishtina zyrtare, që aktualisht është disi e hutuar, duhet definitivisht të zgjohet nga letargjia që e ka kapluar, sidomos ato institucione që janë të lidhura me drejtpërdrejt me politikën e jashtme, por edhe një pjesë e elitës intelektuale e akademike, në mënyrë që kurthet e Mirosllav Lajçakut të refuzohen fuqishëm. Pa një koncentrim të vëmendjes politike e intelektuale në Prishtinë, nuk mund të ndodhë ndërgjegjësimi në Beograd, por edhe në një pjesë të diplomacisë së BE-së.

Prishtinë, 18 tetor!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rockstari Bruce Springsteen, i njohur si përkrahës dhe aktivist demokrat…