Kurti 3 po paralajmëron autoritarizëm pushtetar
Shkruan: Hajdin Abazi
Me t’i fituar zgjedhjet dhe marrë pushtetin për herë të parë, në cilësinë e kryeministrit, Albin Kurti ka bërë veprime radikale – duke u konfliktuar politikisht me Trump 1, pra me aleatin kryesor të Kosovës, kurse në qëndrimet e brendshme jo duke u thirrur në politika të majta, po në emër të atdhetarizmit, luftës kundër korrupsionit e nepotizmit.
Madje u bënë bashkë dy figura radikale, që të përbashkët kishin vetëm etjen zhuritëse dhe insistimin me çdo makinacion të mundshëm për t’u katrrisur në pushtet, njëri me demonstrata radikale e veprime agresive në Kuvendin e Kosovës gjoja në mbrojtje të atdheut e vet, kur erdhi në pushtet, ia fali tokën shqiptare Manastirit të Deçanit; tjetra një pehlivane politike që bënte ç’bënte – herë me njërin kundër tjetrit e së fundi edhe kundër vetë partisë; Albin Kurti e Vjosa Osmani.
Ky ishte një koalicion krejt i paparimtë: Vjosa e kishte etiketuar Kurtin Chaves për të treguar dallimin politik e ideologjik, por për t’u bërë presidente nuk hezitoi të pohonte se krejt tjetër ishte Albini nga ajo që e kishte menduar; dhe përsëri, kur e kuptoi se ia kishte marrë partinë dhe se më nuk kishte gjasa të mbetej në postin e presidentes, iu sul duke e akuzuar për bixhoz me aleatët – por në atë lojë bixhozi me fatin e Kosovës kishte marre pjesë fuqishëm edhe ajo me heshtjen e saj e me mos distancimin nga ajo politikë që tash e sulmonte. Ajo iu vardis perëndimit, duke harruar se për më shumë se tri vjet ajo kurrë nuk kishte pasur një qëndrim tjetër, që të dallonte: vetëm kur iu rrezikua posti i ra ndërmend për perëndimin.
Ky tandem fatkeq për Kosovës qe në fillim u qasen të kapnin shtetin sa më shumë të mundnin. Presidentja e kapi KQZ-në, duke e shkarkuar pa të drejtë kryetaren e saj vetëm pse nuk iu nënshtrua autoritarizmit të presidentes. BE-ja reagoi ndaj këtij veprimi me shënimin në analet shtetërore për kapje të KQZ-së. Pastaj iu turr policisë dhe inteligjencës ku thuhet se i ka vendosur njerëzit e saj.
Të sinkronizuar ishin Kurti, Osmani e Gërvalla lidhur me diplomacinë e shtetit, dhe me fshesë i larguan ambasadorë e konsuj pa asnjë analizë paraprake po vetëm me kutin “nuk është me mua, shkarkoje”. Dhe për katër vjet nuk arritën ta konsolidonin diplomacinë, nga goditja që i dhanë. Asnjë njohje. Sanksione ndaj Kosovës për herë të parë në historinë e saj, dhe atë nga BE-ja. Me SHBA: Trumpi 1 – i keq, Bideni – i keq, Trumpi 2 – i keq!? Kështu u shkatërruan diplomatikisht raportet me perëndimin dhe e futën Kosovën në “luftë të ftoftë” me BE-në dhe SHBA-në. Më keq, asnjëherë nuk ka qëndrua Kosova me aleatët e saj. Këtë nuk e ka bërë opozita, po pushteti: Kryeministri, presidentja dhe kryediplomatja!
Hiç më mirë nuk është gjendja brenda.
Kurti abdikoi nga premtimet se çështjen e dialogut më minoritetin serb do ta bënte me vendorët. Ne fakt ai qe në gjendje të bashkëpunonte edhe me Radoiçiqin, kundër pagave për veteranët. Në vend të zgjidhjes politike, e shndërroi përdorimin e policisë si të vetmen alternativë. Dhe kjo, vetvetiu, i shkonte për shtati edhe Vuçiqit! Politika e tille e pa koordinuar me SHBA-në, BE-në e KFOR-in i përkeqësoi raportet me to. Listën serbe dhe çështjen e veriut i përdori edhe kundër shqiptarëve e edhe për doza false atdhetarie te elektorati i tij.
Kurti trumbeton se nuk është i korruptuar dhe se ka qeverisur me duar të pastra, por po del e kundërta: se ka qenë në strukturën grupore në WhatsApp që ka kontrolluar tenderët dhe punësimet, kjo e lidhur me aferën 37 milionëshe në KEK dhe aktakuzën ndaj Nagip Krasniqit. Këto janë fakte për inkriminim në korrupsion, ashtu sikurse ishte dhe afera me rezervat e shtetit. Korrupsioni brirë nuk ka, po kështu bëhet.
Por duket se ato që kanë ndodhur, si kapja e shumë institucioneve përfshirë RTK-në dhe komisionin për media, ishin minore në krahasim me ato që po paralajmëron Kurti.
Mospërgjigjja ndaj prokurorisë për intervistim është një tregues që Kurti nuk e njeh drejtësinë dhe në këtë kontekst deklarimi që prokurori të shkojë te kryeministri – është shantazh publik për të vendosur autoritarizmin e tij mbi drejtësinë. Kurti tashmë ka deklaruar se ka mësuar se si ta “reformojë” drejtësinë: duke e nënshtruar atë. Kur të gjejë mënyrën për të vendosur njerëzit që vullnetin e tij e bëjnë drejtësi – atëherë ai do ta pranojë sistemin e drejtësisë së Republikës sonë. Dhe ne që e kemi përjetuar “drejtësinë komuniste” e dimë se si është ajo: përmes partisë dhe njerëzve të zgjedhur nga Kurti, gjykatësit do të ndajnë drejtësinë sipas kritereve të Kuetit. Ata që janë me të – edhe kur vjedhin përmes tenderëve, edhe kur kapen me drogë, edhe kur inkriminohen, ose nuk arrestohen fare ose shpallen të pafajshëm. Kurse oponentët e kritikët dënohen me inskenime (mbase mund ta fus në ndonjë ligj një nen “për propagandë armiqësore” sikurse e kishin regjimet komuniste).
Ngjyrime komuniste shprehu Kurti edhe në tubimin zgjedhor në Kaçanik, ku deklaroi se vetëm ata që nuk i duan fëmijët e tyre e familjen mund të mos e votojnë LVV-në. Kjo është maksima se më e dashur është ideologjia se sa gjithçka e çdo gjë tjetër. Ky pretendim i Kurtit është flagrancë me frymën demokratike, që garanton se liria e zgjedhjes dhe e votimit sipas vullnetit të lirë nuk është armiqësi – po e drejtë e secilit.
Ka edhe më. Ai deklaroi me pompozitet se duke më thënë “Albin baba” (dhe e tha këtë me ekzaltim) ju e keni fjalën që të m’i besoni fëmijët tuaj t’i edukojë e t’i rrisë. Kjo është e pa cipë dhe e pamoralshme. Para se ta marrë përsipër t’i edukojë fëmijët e të tjerëve anekënd vendit do të ishte e ndershme që ta sillte fëmijën e vet që ta edukonte në Kosovë. Jo, fëmijën e vet dëshiron ta edukojë në një vend me kulturë të lartë, kurse fëmijët e të tjerëve t’i shndërrojë sipas mendësisë komuniste në “njerëz të rinj” trushpërlarë!
Krahas këtyre, Kurti e shpërfaqi me një ton diktatorial dëshirën e tij reale. Tha se jo vetëm do t’i mundim, por edhe do t’i shkatërrojmë dhe do ta zhdukim opozitën. Kjo është mendësi tipike komuniste, tiranike dhe e diktatorëve, që nuk lejojnë mendim opozitar, oponencë dhe alternativë. Kur kësaj t’i shtohet edhe lufta kundër mediave e gazetarëve kritikë, atëherë bëhet e plotë tabloja. Duhet të mbeten në pushtet e në institucione vetëm bashkëmendimtarët, qenë e nuk qenë profesionistë – mjafton të jenë të dëgjueshëm si Nagip Krasniqi!
Dhe ajo që ishte e turpshme që do të ishte e pritshme vetëm prej qeveritarëve pushtues, ishte shkuarja në Skenderaj për tubim elektoral. Kryeministri i veshur me pancir, thua se ka shkuar në veri ku mundet ndonjë i rekrutuar nga Radojçiqi të bënte atentat. Një veturë ia paska pre rrugën suitës policore në përcjellje të kryeministrit, dhe kjo u cilësua hiç më pak se sulm! E pra Kurti e militantët e tij dikur njëmend i sulmonin kryeministrat, ju shkonin te shtëpia e i kërcënonin dhe madje ju hidhnin thumba gomëshpues veturave qeveritare për t’i përmbysur – që njëmend ishte një lloj tentimatentati. Mënyra se si shkuan në Skenderaj ishte provokativ me gjithçka, por drenicasit nuk ranë në kurth. Ata reaguan në mënyrë shume demokratike, me çka de facto ia prishën skenarin djallëzor.
Në jetën time nuk kam parë një politikan më gënjeshtar publik se sa Kurti. Ai vazhdimisht ka mashtruar se mirë i ka Kosova punët me SHBA-në. E doli se nuk i kishte ashtu, as me Bidenin i cili kurrë nuk e takoi e nuk e priti në Shtëpinë e Bardhë. Këtë marifet e tentoi edhe tash me Trumpin 2, madje edhe ju servilua paksa (një shakaxhi do të tallej duke i vënë në gojën e Kurtit fjalët alegorike: “E lëshova bojlerin”). Grenelli, emisari special i presidentit Trump, e demantoi: Kosova nuk i ka punët aspak mirë me SHBA-në dhe nuk do t’i ketë mirë përderisa të jetë Kurti kryeministër.
Kosova nën sanksione, asnjë komunikim miqësor me ata që i kemi partnerë e sidomos me SHBA-në, me shtetin e kapur dhe me një paralajmërim për kapje absolute, Kurti po tregon se çka e pret Kosovën në mandatin e tij të tretë nëse e fiton: një autoritarizëm, ku përndjekja, reprezaliet dhe eliminimi politik i atyre që mendojnë ndryshe do të jenë veprime sistematike, dhe izolimi do të vazhdojë.
Gjithnjë kam qenë kundër regjimeve të tilla autoriale dhe kurrë nuk do të pajtohem me të, nuk do të pajtohem ekskluzivisht për shkak se pasojat politike do të jenë tepër të rënda për Kosovën dhe lirinë e qytetarëve të saj.



