Kurti: Angazhohemi për një shoqëri me të drejta dhe mundësi të barabarta

19 qershor 2023 | 11:08

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte sot pjesë e tryezës së organizuar nga Zyra për Çështje të Komuniteteve e Zyrës së Kryeministrit, në të cilën u diskutua për sfidat dhe mundësitë për komunitetin Ashkali.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti, fillimisht theksoi se për të përparuar si shoqëri është i domosdoshëm, që përparimi i vazhdueshëm të jetë i të gjithë qytetarëve pa dallim.

Ai tha se edhe Qeveria është e përkushtuar dhe punon që të gjithë qytetarët e Kosovës të trajtohen pa diskriminim.

Kurti përmendi të arriturat me rëndësi në këtë drejtim, si, miratimin e Strategjisë për Avancimin e të Drejtave të Komuniteteve Ashkali dhe Rom, 2022-2026, Platformën Kombëtare për Raportimin e Rasteve të Diskriminimit ndaj Komuniteteve Ashkali, Rom dhe Egjiptian.

Ndërsa, siç tha kryeministri, në dy vitet e fundit, përmes masave të zbatuara dhe granteve të ndara, janë mbështetur të gjitha kategoritë sociale dhe komunitetet.

Ai shtoi se janë ndarë edhe bursa për studentë të komuniteteve ashkai, rom dhe egjiptian, por edhe qendrat mësimore të fëmijëve të këtyre komuniteteve, që 104 ashkali, rom dhe egjiptian kanë përfituar nga trajnimet në Qendrën e Trajnimit Profesional, e nëpërmjet platformës Superpuna, qeveria po i subvencionon të rinjtë për vende të reja të punës për ta.

Krahas kësaj, Zyra për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit ka mbështetur organizatat dhe mediat e komuniteteve.

Sipas Kurtit, janë ndarë gjithsej 96 grante për organizata për projekte nga të cilat përfitojnë komunitetet joshumicë, ndërkaq që vazhdon të jetë thirrja e hapur për grante me vlerë të përgjithshme 300 mijë euro për organizata joqeveritare dhe 100 mijë euro për media.

U tha se në të njëjtën kohë Ministria për Komunitete dhe Kthim, ka mbështetur 123 projekte për biznese të vogla dhe startup-e për komunitetet joshumicë.

“Prej tyre, 10 për komunitetin ashkali. Kjo ministri ka darë edhe fonde për 19 shtëpi që do të ndërtohen për familje me nevojë, përfshirë edhe ato nga komuniteti ashkali. Janë ndarë edhe 373 pako ushqimore dhe higjienike, prej të cilave 94 për komunitetin ashkali, apo përafërsisht 1/4″.

“Po angazhohemi bashkë, institucionet, organizatat dhe qytetarët, për të shtyrë përpara përpjekjet për një të ardhme gjithëpërfshirëse e cila nuk e lë askënd mbrapa, me të drejta dhe mundësi të barabarta, të gjithë e pa dallim”, tha Kryeministrit, duke potencuar gjithashtu se na duhen edhe më shumë rezultate, sepse fundja të arriturat kanë për qëllim që në të ardhmen të jenë edhe më të mëdha. Çdo sukses që e kemi është në funksion të një suksesi më të madh që na pret në të ardhmen.

Ndërkaq, deputeti nga radhët e komuniteteve në Kuvendin e Kosovës, Bekim Arifi, pasi falënderoi për organizimin e kësaj tryeze, tha se kryeministri Kurti me prezencën e tij në çdo ngjarje e organizim, po e dëshmon që komuniteti ashkali është i rëndësishëm për Kosovën.

Të pranishëm në këtë tryezë ishin edhe zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës për Çështje të Pakicave dhe Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi, këshilltarja e kryeministrit për Çështje të Komuniteteve, Elizabeth Goëing, si dhe përfaqësues të shumtë nga komunitetet joshumicë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
38 sportistë do ta përfaqësojnë Kosovën në edicionin e tretë…