Kurti: ‘Ballkani i hapur’ ngjan më shumë si Ballkan i hapur për ndikimet nga Lindja

01 gusht 2021 | 15:32

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të dielën ka thënë se nisma “Ballkani i hapur” (Open Balkan) më shumë i ngjan një “Ballkan të hapur për ndikimet nga Lindja” sesa një nisme për treg të përbashkët për vendet e rajonit.

Sipas Kurtit, kjo nismë, ku bëjnë pjesë Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, duhet të shoqërohet edhe me ballafaqimin me të kaluarën e Serbisë dhe të presidentit të saj, Aleksandër Vuçiq.

Ai ka thënë se Serbia ka shkaktuar katër luftëra në dekadën e fundit të shekullit 20.

“Nuk mund të them se jam i entuziazmuar me emërtimin ‘Ballkani i hapur’, pasi që duke qenë aty kreu i Serbisë që nuk ballafaqohet me të kaluarën e shtetit të tij dhe të vetes së tij, ‘Ballkani i hapur’ ngjan më shumë si Ballkan i hapur për ndikimet nga Lindja, sidomos nga Federata Ruse, por edhe nga Kina si dhe Ballkan i hapur për autokracinë, për korrupsionin, për kriminelët e luftës të cilët, siç e dimë të gjithë ne, vazhdojnë të jenë masivisht, jo vetëm të lirë në Serbi, por edhe jo pak prej tyre edhe në pushtet”, ka thënë Kurti për mediat në Prishtinë.

Më 29 korrik në Shkup u takuan kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Të tre liderët ftuan vendet e rajonit që t’i bashkohen nismës së “mini-Shengenit” që mori emërtimin e ri “Ballkani i hapur”.

Në këtë takim nuk mori pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Sipas Ramës, Vuçiqit dhe Zaevit, “Ballkani i hapur” ka për qëllim të krijojë një treg të përbashkët për vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, së bashku me…