Kurti e quan Thaçin ambasador të vetëshpallur të shteteve mosnjohëse

21 tetor 2018 | 19:23

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kaluar nga premtimet brenda vendit në ato jashtë vendit në emër të presidentëve botërorë.

“Nga premtimet brenda vendit si kryeministër, Thaçi ka kaluar te premtimet nga jashtë vendit si president. Dikur si kryeministër premtonte prej 200 mijë vendeve të punës në Kosovë e deri te formimi i komunave Kodra e Trimave, Has, Kievë, Hogosht e Zhegër. Sot si president premton bashkëngjitje të Luginës dhe anëtarësim të Kosovës në OKB, NATO e BE”, ka shkruar Kurti në llogarinë e vet në “Facebook”.

Ai ka shtuar se “presidenti Thaçi po premton në emër të presidentit Vuçiq se do të na bashkëngjiten Presheva, Medvegja e Bujanoci; në emër të Presidentëve Putin dhe Xi se Kosova do të marrë ulëse në OKB; dhe, në emër të Spanjës, Sllovakisë, Rumanisë, Greqisë e Qipros se do të anëtarësohemi në NATO e BE”.

Kurti ka theksuar se ky nuk është president i Kosovës por ambasador i vetëshpallur i këtyre instancave në emër të të cilave premton.

“Pra, Presidenti i Kosovës jo vetëm që nuk është President, por nuk është as i Kosovës. A thua e bën falas këtë punë ambasadori i vetëshpallur për shtetet që s’na kanë njohur? Nuk e di sa kush tjetër e paguan, por populli i Kosovës shumë shtrenjtë. Thaçi s’e ka për shtet tonin që u garanton liri qytetarëve, por për pushtet të vetin e që është e vetmja garanci e lirisë për të”, ka deklaruar Kurti.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anëtarët e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) të…