Kurti: Festa e Kurban Bajramit na gjen të vënë në sprovë prej një pandemie të rëndë e të rrezikshme

31 korrik 2020 | 08:55

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka uruar besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit.

Me këtë rast, Kurti ka thënë se beson se është pjesë e mesazhit të kësaj feste kërkesa për sakrificë nga besimtarët, duke mos u grumbulluar në ambiente të mbyllura, gjithnjë me synimin për të mbrojtur të tjerët dhe ruajtur veten.

“Andaj besoj se është pjesë e mesazhit të kësaj feste kërkesa për sakrificë nga besimtarët, duke mos u grumbulluar në ambiente të mbyllura, gjithnjë me synimin për të mbrojtur të tjerët dhe ruajtur veten”, ka shkruar Kurti në llogarinë e vet në “Facebook”.

Postimi i plotë i Kurtit: 

Të dashur besimtarë myslimanë, gëzuar festën e sakrificës, Kurban Bajramin.

Çka shkon te Zoti nuk është mishi e gjaku i sakrificës, por qëllimi i mirë, drejtësia, adhurimi e dashuria. Në këtë festë, synim nuk është kënaqja e vetes, por afirmimi i kujdesjes për tjetrin.

Prandaj sipas rregullit kurbani ndahet në tre pjesë, dhe vetëm njëra mbahet për vete e familjen e ngushtë. Dy të tjerat, pra pjesa më e madhe e sakrificës, u dhurohen të varfërve, por edhe fqinjëve, miqve e familjes së gjerë. Kjo është festë e solidaritetit.

Sivjet kjo festë na gjen të vënë në sprovë prej një pandemie të rëndë e të rrezikshme, e cila në vendin tonë po bëhet kërcënuese për të gjithë.

Andaj besoj se është pjesë e mesazhit të kësaj feste kërkesa për sakrificë nga besimtarët, duke mos u grumbulluar në ambiente të mbyllura, gjithnjë me synimin për të mbrojtur të tjerët dhe ruajtur veten.

Uroj që festën ta kaloni lumturisht, dhe të na sjellë të gjithëve fat e mbarësi për javët e muajt në vijim, sepse kemi nevojë. Por ju lutem, mbani distancë, përdorni maskat, kufizoni maksimalisht takimet e vizitat me persona jashtë familjes suaj. Bëjeni këtë sakrificë për familjen e fqinjët, për bashkëkombasit tuaj.

Edhe një herë, me fat Kurban Bajrami!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Së paku 17 njerëz u vranë nga shpërthimi i makinës-bombë…