Kurti i shqetësuar me rritjen e numrit të të infektuarve me Covid-19 në ditët e fundit
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka vizituar Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK), ku është njoftuar nga afër me situatën me Covid-19.
Me këtë rast, Kurti ka thënë se shqetësimi më i madh ditëve të fundit është se numri i të infektuarve, i cili ka kaluar atë të shëruarave.
“Duhet ta ruajmë secili veten tonë dhe ta mbrojmë njëri-tjetrin. Ne si qeveri në detyrë jemi në konsultime ditore me ekspertë të Hardvardit të cilët po e ndjekin në një kohë reale menaxhimin e pandemisë këtu në Kosovë dhe kemi mbështetjen e tyre falas. Gjithashtu bashkëpunimi ynë me komunat, policinë dhe organizatat është shumë i mirë dhe kështu duhet mbetet”.
“Ditët e fundit kemi diçka shqetësuese për shkak se numri i të infektuarve e ka kaluar numrin e të shëruarve. Mbrëmë u dha njoftimi se në ditën e djeshme kishim 8 të infektuar dhe asnjë të shëruar ndërsa, pardje kishim 24 dhe vetëm 14 të shëruar dhe kjo lakorja ngelet e tillë përveç këtyre dy ditëve të fundit atëherë duhet ta fuqizojmë mesazhin tonë t’i mirëmbajmë masat dhe udhëzimet që mos të kemi ndonjë dështim në minutat e fundit”, ka thënë Kurti.
Më tutje, ai ka thënë se merita kryesore për menaxhimin e pandemisë u takon qytetarëve.
“Besoj që merita kryesore i takon popullit të Kosovës. Si do të vazhdojmë në javën e ardhshme varet këto ditë dhe është e domosdoshme që numri i të shëruarve të jetë më i madh se i të infektuarve”, tha Kurti, raporton “EO”.
Ndërsa drejtori i ShSKUK-së Basri Sejdiu, ka falënderuar Kurtin për vizitën dhe e ka njoftuar atë për menaxhimin e situatës me Covid-19.
“Sot për së afërmi kryeministri u njoftua me punën dhe luftën me pandeminë si dhe gjendjen momentale dhe është një mbështetje qeveritare që sa më lehtë të përballohet. Informuam se ato vështirësi që i kemi pasur janë tejkaluar”, ka thënë Sejdiu.



