Kurti: Ideali i çlirimtarëve nuk mund të arrihet me këta pushtetarë

09 prill 2019 | 23:24

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në 20 vjetorin e Betejës së Koshares, ka thënë se ajo ishte një prej momenteve më të lavdishme të luftës së shqiptarëve për çlirim e bashkim kombëtar.

Kurti, ka thënë se mijëra shqiptarë morën pjesë në atë betejë, e mbi 100 prej tyre ranë dëshmorë. Si pjesëmarrësit, ashtu edhe dëshmorët që dhanë jetën për liri, ishin shqiptarë nga të gjitha trevat, shumë prej tyre edhe nga mërgata.

“Luftën çlirimtare e përkrahu Shqipëria, NATO, e vende të rëndësishme mike. Ato prisnin nga ne të realizonim misionin tonë historik”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.

Megjithatë, sipas tij, është për të ardhur keq se 20 vite më vonë ai kufi, të cilin e rrëzoi Agim Ramadani me shokë, vazhdon të jetë temë mashtrimi nga qeveritarë të Tiranës e Prishtinës të cilët premtojnë se do ta heqin, por gjithnjë e harrojnë premtimin e tyre.

Fotografia e Albin Kurti

Postimi i plotë i Albin Kurtit:

Nder e lavdi për luftëtarët e Koshares

Para 20 vitesh nisi Beteja e Koshares, një prej momenteve më të lavdishme të luftës së shqiptarëve për çlirim e bashkim kombëtar.
Kjo betejë u luftua prej brigadës 138 të UÇK-së, prijësi i së cilës ishte heroi i kombit, dëshmori Agim Ramadani. Mijëra shqiptarë morën pjesë në atë betejë, e mbi 100 prej tyre ranë dëshmorë. Si pjesëmarrësit, ashtu edhe dëshmorët që dhanë jetën për liri, ishin shqiptarë nga të gjitha trevat, shumë prej tyre edhe nga mërgata.
Ajo betejë njihet si ngjarje historike për shkeljen dhe thyerjen e kufirit të imponuar nga pushtimi jugosllav, pra duke mos e njohur më kufirin shqiptaro-shqiptar.
Luftëtarët çlirimtarë thanë: ne jemi shqiptarë, jemi vendas të kësaj toke që është Shqipëri në të dyja anët e kufirit, kemi një komb e një gjuhë, jemi të pavarur që prej 1912, e këtë ndarje të vendosur padrejtësisht më 1913 nuk e pranojmë.
Luftën çlirimtare e përkrahu Shqipëria, NATO, e vende të rëndësishme mike. Ato prisnin nga ne të realizonim misionin tonë historik.
Është për të ardhur keq se 20 vite më vonë ai kufi, të cilin e rrëzoi Agim Ramadani me shokë, vazhdon të jetë temë mashtrimi nga qeveritarë të Tiranës e Prishtinës të cilët premtojnë se do ta heqin, por gjithnjë e harrojnë premtimin e tyre.
Dy dekada më vonë, teksa i kujtojmë me respekt e dhimbje martirët, me nder e adhurim dëshmorët e heronjtë, të gjithë po e kuptojmë se projekti idealist i luftëtarëve çlirimtarë nuk mund të arrihet prej një kaste pushtetarësh që vjedhin për të sunduar e sundojnë për të vjedhur, që e kanë shkatërruar shtetin me privatizime, korrupsion e nepotizëm, e që dinë vetëm të mashtrojnë sa i përket aspiratave progresive shoqërore e kombëtare.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtoria për Kulturë Rini dhe Sport, në bashkëpunim me Organizatën…