Kurti: Jemi në proces të finalizimit të Ligjit për Energjitë e Rinovueshme

25 maj 2023 | 11:56

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, bashkë me ambasadorin Amerikan, Jeffrey Hovenier dhe ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, mori pjesë në Konferencën e Para Ofertimit për Ankandin Solar 100 MW.

Sipas kryeministrit Albin Kurti, ankandi i parë diellor që po pritet të krijohet në Kramovik ka potencialin të sigurojë energji elektrike për pothuajse 20,000 familje, projekt ky i cili hap rrugën drejt projekteve të mëtejshme të energjisë së rinovueshme në Kosovë.

“Kjo pasqyron angazhimin tonë për një agjendë kuptimplotë të ndryshimeve klimatike, mirëqenien e qytetarëve tanë dhe kalimin tonë drejt një të ardhmeje të qëndrueshme energjetike. Për më tepër, ne jemi në proces të finalizimit të Ligjit për Energjitë e Rinovueshme, i cili përfshin praktikat më të mira globale në industrinë e energjisë së rinovueshme dhe ofron siguri ligjore dhe rregullatore për investitorët e mundshëm”, ka thënë kryeministri.

Ai theksoi se investimi për ankandin e parë diellor përbëhet nga një marrëveshje mbi 200 milionë euro me Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit për sistemet e ruajtjes së baterive, një marrëveshje ndërmjet Korporatës sonë Energjetike dhe General Electric për modernizimin e termocentralit “Kosova B”, dhe një marrëveshje prej 160 milionë euro me Fondin Monetar Ndërkombëtar për të ndërtuar kapacitete të energjisë së rinovueshme.

Tutje, duke përmendur elementet që e bëjnë Kosovën një destinacion tërheqës për investitorët, sikurse afërsia e saj me tregjet evropiane, fuqia punëtore e aftë, dhe një kuadër i fuqishëm rregullator, kryeministri veçoi se synimi i qeverisë është të inkurajojmë investimet private dhe të krijojmë një klimë të favorshme investimi, të cilat edhe janë shtytës kyçë për rritjen ekonomike.

Mirënjohjen e tij të thellë, kryeministri e shprehu edhe për ambasadorin Hovenier dhe Qeverinë e ShBA-së, si dhe Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), për mbështetjen e palëkundur në ndihmën e Kosovës në identifikimin dhe promovimin e potencialit të madh të burimeve të ripërtëritshme të energjisë.

Njëkohësisht, ai u nda i kënaqur edhe me punën e ministres Rizvanolli dhe ekipin e saj, të cilët kanë mundur të zhvillojnë këtë iniciativë dhe të krijojnë një proces të hapur dhe transparent tenderimi në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Senatorët amerikanë Chris Murphy dhe Gary Peters në vizitën e…