Kurti: Jemi të interesuar që sa më parë të bëhet marrëveshja përfundimtare, Serbia do hapa të vegjël

26 tetor 2022 | 20:16

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është në një fazë të re, derisa trysnia ndërkombëtare është shtuar për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.

Në qendër të vëmendjes është një plan i propozuar nga Franca dhe Gjermania, që publikisht ka marrë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, por për të cilin dihen pak hollësi.

Kryeministri Albin Kurti në një prononcim për RTV Dukagjinin ka thënë se janë duke u përgatitur për takimin e 3 nëntorit që do të mbahet në Gjermani i cili sipas tij synim ka rifuqizimin e Procesit të Berlinit.

“Ky është përkushtimi ynë kryesor”, shtoi kryeministri duke thënë se për marrëveshjen përfundimtare duhen takime tjera për çka ai është i gatshëm.

I pyetur për propozimin franko-gjerman, Kurti nuk ka dashur të përgjigjet në mënyrë direkte, derisa ka shtuar se janë të gatshëm për të diskutuar për kornizën e një marrëveshjeje përfundimtare.

“Sa i përket takimeve për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes së ardhshme, ai është një proces i ndarë dhe kurdo që konsiderojnë se ne duhet të ftohemi për një takim të tillë në kemi shprehur kaherë gatishmërinë tonë”, deklaroi Kurti.

I pari i qeverisë thotë se Serbisë nuk i konvenon marrëveshja përfundimtare, derisa Kosova është që ajo të bëhet sa më parë.

“Është Beogradi ai që ka konsideruar se është për hapa të vegjël dhe jo për kornizën e përgjithshme. Neve na intereson korniza e përgjithshme e cila është për normalizim të plotë me njohjen reciproke në qendër. Ne jemi të interesuar që sa më parë të bëhet ajo marrëveshje, por nuk varet vetëm prej neve”, deklaroi tutje Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kombet e Bashkuara po përdorin imazhe satelitore para dhe pas…