Kurti konfirmon përkushtimin e qeverisë për rregullimin e statusit juridik të Kishës Katolike

24 janar 2023 | 16:44

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pritur sot në takim nga Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, imzot Dodë Gjergji.

Në takim u theksua përkushtimi i Qeverisë për garantimin dhe respektimin e plotë të lirisë fetare, në mënyrë të barabartë, për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Kryeministri Kurti shprehu mirënjohje për përkrahjen dhe kontributin e dhënë nga Ipeshkvia e Kosovës.

Ai e falënderoi Ipeshkvin për bashkëpunimin për Projektligjin për Liritë Fetare.

Duke biseduar për rëndësinë e rregullimit të statusit juridik të Kishës Katolike, u konfirmua përkushtimi i Qeverisë për ta rregulluar përmes ligjit.

Në takimin e përbashkët me këshilltaren ligjore të kryeministrit, Tea Blakaj Hoxha, u bisedua për liritë fetare dhe trashëgiminë kulturore. U ritheksua mbrojtja e tyre përmes Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe ligjeve të veçanta.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dua Lipa, Penélope Cruz, Michaela Coel dhe Roger Federer, janë…