Kurti: Mungon kultura dhe shprehia e leximit

09 gusht 2020 | 16:10

Ish-kryeministri Albin Kurti ka publikuar disa të gjeturave nga studimet që trajtojnë lexueshmërinë dhe mësimin në Kosovë.

Ai ka bërë me dije se këto të gjetura tregojnë se prindërit nuk lexojnë mjaftueshëm, bibliotekat publike dhe ato private janë të varfra, si dhe mungon kultura dhe shprehia e leximit.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se nëse duam të kemi shtet dhe përparim, duhet ta rikthejmë dijen si vlerë dhe të diturin si autoritet.

Postimi i plotë i Kurtit:

Prindërit nuk lexojnë mjaftueshëm. Bibliotekat publike nëpër komuna dhe ato private nëpër familje janë të varfëra. Mungon kultura dhe shprehia e leximit. Nxënësit i kalojnë mesatarisht afër shtatë orë në ditë para ekraneve të ndryshme, prej të cilave vetëm dy orë për mësim (lexim e kërkime). Shumica e nxënësve nuk arrijnë t’i kujtojnë tre librat e fundit që kanë lexuar. 2/3 e tyre e praktikojnë kopjimin e detyrave dhe referateve nga interneti. Sa më të rritur nxënësit, aq më pak lexojnë e aq më shumë kopjojnë.

Këto janë disa prej të gjeturave nga studimet që trajtojnë lexueshmërinë dhe mësimin në Kosovë. Nuk jemi të vetëdijshëm sa shumë probleme sot janë pasojë direkte e arsimimit të dobët. Nga keqqeverisja lart deri te mjerimi poshtë.

Duhet ta rikthejmë dijen si vlerë dhe të diturin si autoritet. Nëse duam të kemi shtet dhe përparim.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, ka kritikuar reagimin e institucioneve…