Kurti në Davos, kritikohet që s’mori sipërmarrës e po përmend luftën

18 janar 2024 | 20:34

Sikurse në çdo janar, Davos po pret me qindra politikanë, biznesmenë, e figura tjera të fuqishme në atë që njihet si Forumi Ekonomik Botëror.

Në Zvicër aty ku forumi do të përfundojë të premtën, po qëndron edhe Kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

Por prezenca e tij në atë organizim, në Kosovë nuk po ngjall optimizëm se diqka mund të sillet nga atje.

Për televizionin Dukagjini është konfirmuar nga zyra e kryeministrit që shefi i ekzekutivit kosovar në Davos nuk ka marrë me vete sipërmarrës nga Kosova.

E kritika për këtë çështje u ashpërsua pasi sipas ekonomistëve, me pjesëmarrjen e bizneseve kosovare në ekip të Kryeministrit diçka e frytshme mund të sigurohej.

“Në forume ekonomik do të ishte mirë të ishin të pranishme edhe bizneset e Kosovës, sepse nëse ekonomia mund të zhvillohet ajo do të bëhet përmes bizneseve sesa nga qeveria. Qeveria ka vetëm rolin të hapjes së rrugës dhe krijimin e infrastrukturës ligjore ofrimin e sigurisë juridike për të bërë biznes. Ndërsa zhvillimin dhe tërheqjen e investimeve e bëjnë më shumë bizneset”, ka deklaruar Erton Bega – Ekonomist.

Edhe më negative po vlerësohet narrativa e kryeministrit që lidh Kosovën me luftën, për çka vlerësohet se është trembje për investitorët potencialë.

“ Ne e dimë se së fundmi ka pasur interesime të disa investitorëve, dhe pastaj përdorimi i gjuhës për luftë, ka irrituar ata dhe shumë investitorë, kanë pezulluar për momentin investimet e tyre. E në në diplomacy, duhet ta kemi vëmendjen edhe tek diplomacinë ekonomike në mënyrë që mos ti trembim investitotrët me terminologji politike kërcënuese”, ka deklaruar Visar Xani – Analist Politik.

Në Forumin e Davosit përveç Kurtit po merr pjesë edhe Vuqiqi, por dy emrat që janë në një proces dialogu, në Zvicër nuk u ulën në tavolinë e as nuk kanë qenë pjesë e ndonjë paneli të përbashkët.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoninë e Veriut, politikani…