Kurti në Londër, pritet nga ministri i Forcave të Armatosura të Britanisë

07 qershor 2022 | 14:01

Kryeministri Albin Kurti dhe ambasadori i Kosovës në Londër, Ilir Kapiti, u pritën në takim nga ministri i Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, James Heappey.

Kryeministri Kurti ka falënderuar ministrin Heappey për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën në të gjitha fazat: të çlirimit, të rindërtimit, të pavarësimit, të zhvillimit e të demokratizimit.

Në këtë takim siç ka njoftuar Qeveria e Kosovës, është biseduar për marrëdhëniet e mira bilaterale ndërmjet dy vendeve dhe mundësitë e intensifikimit të mëtejmë të bashkëpunimit.

Posaçërisht u diskutua për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes e të sigurisë dhe kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e Kosovës për përkrahjen e institucioneve profesionale të mbrojtjes, sidomos të akademisë së mbrojtjes Sandhurst për shkollim të karrierës e specialistik.

Kadetët e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë ngritur e kanë arritur rezultate të larta dhe FSK-ja ka marrë pjesë tri herë në garën ndërkombëtare “Cambrian Patrol” në Britani të Madhe, duke fituar njëherë medaljen e artë, një herë të argjendtën dhe njëherë të bronztën. Tani janë duke u bërë përgatitjet për pjesëmarrjen e radhës që mbahet në muajin tetor.

Duke biseduar për çështjet e sigurisë, u theksuan sfidat që vijnë nga invazioni dhe agresioni i paprovokuar dhe i pajustifikuar rus në Ukrainë.

Kryeministri Kurti ka thënë se Republika e Kosovës është rreshtuar përkrah botës demokratike, Mbretërisë së Bashkuar, Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke e dënuar sulmin dhe duke vendosur masat sanksionuese ndaj Federatës Ruse.

Gjithashtu, ai theksoi ndihmën e qeverisë për Ukrainën, ofrimin e strehimit për 5000 refugjatë dhe kushteve të punës për 20 gazetarë ukrainas, katër prej të cilëve tashmë janë vendosur në Kosovë dhe po vazhdojnë të merren me profesionin e tyre.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bayern Munchen ka nisur kërkimin për të gjetur një sulmues…