Kurti: Nevojitet një hetim i ri, i pavarur dhe profesional për Astrit Deharin

05 nëntor 2019 | 13:38

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka mbajtur një fjalimin para familjarëve dhe qytetarëve që dolën për të marshuar në trevjetorin e vdekjes së Astrit Deharit.

Kurti ka thënë se tri vjet pa Astritin janë shumë. “Tri vjet padrejtësi janë tepër shumë për Xhemilen e Avniun, Artën e Arsën, Albanën, Lumin e Blinin. Janë tepër shumë për juve për neve për secilin për nesh dhe të gjithë ne”, ka thënë Kurti.

Lideri i LV-së ka theksuar se janë tronditur të gjithë kur e arrestuan Astritin në atë kohë, kur e akuzonin pa aktakuzë dhe kur mbanin në burg pa e marrë në pyetje. “Jemi tronditur tepër shumë kur mësuam që s’do ta shohim”, ka deklaruar ai.

“Në qelinë A3 kur kam qenë edhe unë para 12 vjetëve e kanë mbytur një njeri të pafajshëm. Ekspertiza ligjore ka konstatuar qysh atëherë që për 11 lloje të drogave janë zhvilluar teste dhe në asnjërën prej tyre Astriti nuk ka dalë pozitiv, janë zhvilluar teste dhe nuk kanë gjetur kurrfarë medikamenti, trup i shëndoshë plotësisht në aspektin fizik dhe psikik”, ka pohuar Kurti.

Ai ka shtuar se të mbahej në paraburgim një qytetar për 68 ditë pa u intervistuar asnjëherë, kjo sipas Kurtit, është së paku tendencë për izolim dhe kurrsesi përpjekje për drejtësinë.

“Nuk ka pasur të vërtetën për drejtësi, por një qëllim tendencioz që është vënë prioritet ndaj të dhënave faktike. Nevojitet një hetim i ri, i pavarur dhe profesional, jo vetëm për mbytjen e Astritit, por edhe procesin trevjeçar. Astriti u mbyt nga regjimi, sepse nuk po e merrte në pyetje. Mbi Astritin është kryer krimi prej ditës kur u arrestua”, është shprehur Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa me…