Kurti nga Shqipëria paralajmëron transformim të sistemit të drejtësisë: Duam gjykata normale, jo speciale

03 mars 2021 | 11:50

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është duke qëndruar në Shqipëri për një vizitë treditore.

Kurti në një adresim të tij për gazetarë, ka folur për Gjykatën Speciale, ku ka thënë se ajo është e imponuar nga jashtë.

“Gjykata Speciale në Hagë, është gjykatë që është imponuar prej jashtë. Është instaluar për shkak të votimit të gabueshëm, tejet të dëmshëm më 3 gusht të vitit 2015. Ne dëshirojmë të kemi gjykata normale në Kosovë, jo gjykata speciale jashtë Kosovës”.

“Me qeverisjen tonë të re, me procesin e vetingut, me departamentet në gjykatat e reja, edhe do të zvogëlojmë atë gjysmë milioni lëndë në Pallatin e Drejtësisë, por edhe do të rregullojmë imazhin e Kosovës, duke sjellë drejtësi për qytetarët e Kosovës, dhe gjykatat tona normale do të trajtojnë të gjitha pretendimet ndaj kujtdo qoftë”, ka thënë Kurti.

Më tutje, Kurti ka paralajmëruar se do ta sjellë transformim të sistemit të drejtësisë, duke iu referuar edhe Gjykatës Speciale.

“UÇK-ja ka bërë luftë të drejtë, ka bërë luftë të pastër. Nëse ka pretendime nga ndonjë ndërkombëtar për individë të UÇK-së, ne do të kemi një sistem të ri të reformuar, të transformuar të drejtësisë, që do t’i trajtojë me prioritet dhe seriozitet të gjitha ato raste. Ne jemi bashkë me ushtarët e UÇK-së, ata janë me popullin e Kosovës”, ka thënë Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmuesi Edin Dzeko pritet të largohet nga Roma në afatin…