Kurti premton mbështetje për komunitetin rom

08 prill 2020 | 15:31

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar komunitetin rom me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve.

Kurti ka thënë se qeveria me politikat e saj do të krijojë kushte dhe mundësi të barabarta për të siguruar të drejta të barabarta.

“Prandaj ne do të ndërhyjmë me politika favorizuese aty ku shfrytëzimi i të drejtave pamundësohet nga mungesa e mundësive”,  ka shkruar Kurti në llogarinë e vet në “Facebook”.

Postimi i plotë i Kurtit:

Të dashur qytetarë të komunitetit Rom,

Më lejoni t’ju uroj e përgëzoj për Ditën Ndërkombëtare të Romëve!

Është e vërtetë që si individ ne kemi tregime të veçanta por si shoqëri ndajmë fatin e njëjtë sepse kemi shtetin e përbashkët.

Ne nuk pushojmë e nuk ndalemi së punuari derisa të gjithë qytetarët pa përjashtim e pa dallim të kenë mundësi dhe shanse të barabarta për zhvillim.

Nuk ndalemi sepse, për dallim nga tjerët, ne progresin shoqëror nuk e matim me kushtet, mundësitë dhe mirëqenien e atyre që gjenden në majë, por me mundësitë dhe mirëqenien e atyre që gjenden në fund. E në fund, fatkeqësisht janë shumë: afër 18% e qytetarëve tanë jetojnë nën kufirin e varfërisë.

Por varfërinë duhet ta luftojmë me edukim kurse paragjykimet me bashkëpunim.

Kushtetuta jonë e cila nesër e ka ditën e saj u garanton minoriteteve të drejta të veçanta, krahas të drejtave dhe lirive themelore që i gëzon çdo qytetar i republikës. Kemi ligje, strategji, agjenci e fonde të veçanta që më shumë na veçojnë e dallojnë sesa që na bëjnë bashkë.

Mungesa e edukimit, punësimit e banimit dhe e pjesëmarrjes në jetën publike nuk janë problem i komuniteteve që ato duhet t’i zgjidhin të vetëm e ndaras por problem yni i përbashkët.

Qeveria me politikat e saj do të krijojë kushte dhe mundësi të barabarta për të siguruar të drejta të barabarta. Prandaj ne do të ndërhyjmë me politika favorizuese aty ku shfrytëzimi i të drejtave pamundësohet nga mungesa e mundësive.

E ardhmja jonë është tek edukimi cilësor i fëmijëve tanë, andaj do të heqim barrierat për mësim sikurse distanca e largët nga shkollat, kualiteti i dobët e ushqimi i munguar. Secili fëmijë do të ketë kushtet e barabarta për mësim cilësor pa paragjykuar se prej nga vjen dhe sa fitojnë prindërit e saj apo tij.

Le të punojmë çdo ditë bashkë sepse kemi shtetin dhe ardhmërinë të përbashkët!

Të dashur qytetarë të komunitetit Rom,Më lejoni t'ju uroj e përgëzoj për Ditën Ndërkombëtare të Romëve!Është e…

Gepostet von Albin Kurti am Mittwoch, 8. April 2020

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja në detyrë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi,…