Kurti: Qeveria do jetë më aktive në mbështetjen e shqiptarëve në Luginë

12 nëntor 2019 | 13:14

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, së bashku me anëtaren e Kryesisë, Albulena Haxhiu, kandidaten për deputete Teuta Fazliu dhe sekretarin për marrëdhënie me jashtë, Kreshnik Ahmeti, ka pritur dje në takim një delegacion nga Partia Demokratike që ka shtrirje në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë, të kryesuar nga kryetari i saj, Nagip Arifi, kryetarja e Forumit të Gruas, Adelina Brucaj Hasani, kryetari i Forumit Rinor, Sali Salihi, si dhe Shaban Xheladini.

Në këtë takim, përfaqësuesit nga Bujanoci e kanë  uruar Kurtin për fitoren e zgjedhjeve të 6 tetorit, dhe kanë shprehur dëshirën që qeveria e re të formohet sa më parë në mënyrë që edhe ndryshimet për të cilat qytetarët kanë votuar të vihen në jetë.

Mes tjerash, ata kanë njoftuar Kurtin edhe për gjendjen e rëndë në Bujanoc, ku për shkak të ngecjes në ekonomi dhe arsim, të rinjtë nuk po shohin më perspektivë atje dhe po emigrojnë jashtë vendi siç kanë bërë më herët në Medvegjë.

Kryetari i PD-së, ka thënë se mungojnë veprimet konkrete nga qeveritë e deritanishme të Kosovës.

Ndërsa kryetari Kurti i ka falënderuar ata për urimin e vizitën, dhe ka thënë se është në dijeni për gjendjen e rëndë nëpër të cilën po kalon Lugina.

Ai e ka njoftuar  Arifin për prioritetet e qeverisë së re, ku vend të rëndësishëm ka mirëqenia e shqiptarëve jashtë kufirit, të drejtat dhe liritë e tyre si dhe aspekti i shëndetësisë dhe arsimit në ato vende ku ata jetojnë.

Kurti ka thënë se qeveria e Kosovës do jetë më aktive në mbështetjen e shqiptarëve në Luginë, dhe këtë do e bëjë bashkë me Shqipërinë, si përmes zbatimit të marrëveshjeve të deritashme ashtu edhe me marrëveshje të reja për politika që mundësojnë zhvillimin e jetës atje.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vjosa Osmani, ka…