Kurti: Reforma në administratë publike, thelbësore në programin e qeverisë sonë

22 nëntor 2022 | 11:33

“Reforma në administratë publike është pjesë thelbësore e reformave të planifikuara në programin e qeverisë sonë. Është besim e qëndrim i yni se një administratë publike besnike ndaj shtetit, e ndershme, e shkolluar dhe e përgatitur, me efikasitet më të lartë është parakusht për politika të përmbushura zhvillimore”, u shpreh kryeministri Albin Kurti, në konferencën vjetore të organizuar nga Ambasada Britanike, në kuadër të projektit “Rekrutimi i pavarur, i përgjegjshëm, meritokratik dhe profesional në Kosovë”.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti ka theksuar se reformimi i administratës publike është dhe parakusht për hapat avancues të Republikës së Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Ai ka thënë se qeveria është e përkushtuar që reforma dhe rrjedhimisht administrata që po ndërtojmë të jenë të bazuara mbi disa parime që respektohen gjerësisht nga vendet demokratike dhe të zhvilluara. “Një administratë joefikase shkakton ngecje më pastaj në ofrimin e shërbimeve publike për nga cilësia, për nga sasia, shkakton gjithashtu edhe ngecje edhe në zhvillimin e proceseve të reformave në sektorët e tjerë”, ka thënë Kurti, duke shtuar se qeveria ka ndërmarrë hapa konkretë për të adresuar sfidat dhe problemet me të cilat përballet administrata por edhe qytetarët kur kanë nevojë të kenë ndërveprim me të.

Kurti ka veçuar dokumentet strategjike që trajtojnë këto çështje. “Plani për zhvillim kombëtar, bashkimi i tri strategjive për administratë publike në një të vetme dhe hartimi i saj për periudhën 2022-2027, hartimi i strategjisë për e-qeverisje e hartimi i strategjisë për siguri kibernetike janë ndër të tjera veprime esenciale të cilët tashmë i kemi ndërmarrë”, është shprehur ai.

Kryeministri ka theksuar se Ministria e Punëve të Brendshme ka rishikuar rrënjësisht ligjin për zyrtarët publikë dhe ka hartuar nga fillimi ligjin për paga në sektorin publik, për t’iu përshtatur aktvendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Ai ka falënderuar të gjithë partnerët që janë duke përkrahur qeverinë për këto reforma përmes projekteve e ekspertizës, duke shtuar se bashkëpunimi është padyshim komponentë shumë e rëndësishme në gjithë këtë proces.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pekini ka vendosur të mbyllë parqet, qendrat tregtare dhe muzetë,…