Kurti takohet me zyrtaren e lartë amerikane, ja për çfarë biseduan

04 nëntor 2021 | 15:39

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të enjten në zyrën e vet zyrtaren e lartë të Departamentit të Shtetit Amerikan, Molly Montogomery.

Zëvendësndihmësja e sekretarit të Shtetit, Molly Montgomery në këtë takim me Kurtin ka theksuar marrëdhënien ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Kosovën, e veçanërisht lidhjen e fortë personale që presidenti Biden ka me Kosovën.

Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ajo ka falënderuar kryeministrin Kurti dhe Qeverinë e Kosovës për bashkëpunimin dhe mbështetjen në çështjen e strehimit të qytetarëve afganë.

Ndërsa kryeministri Kurti ka deklaruar se kjo ndihmë ishte obligim humanitar i Kosovës, duke shtuar se Kosova dëshiron t’i qëndrojë në krah ShBA-së, si aleat strategjik.

Kurti  e ka falënderuar  ShBA-në për mbështetjen e dhënë për Forcën e Sigurisë së Kosovës për pajisje dhe trajnime, si dhe ka shprehur vullnetin për bashkëpunim të mëtejmë. Po ashtu, ai e ka njoftuar zyrtaren amerikane për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022, ku përfshihet edhe ndarja e mbi 100 milionë eurove për ushtrinë.

Siç ka njoftuar zyra për media e kryeministrit, Kurti ka shprehur mirënjohje për vlerësimin e presidentit Biden, që vazhdimi i bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe arritja e një marrëveshjeje duhet përqendruar në njohjen reciproke.

Gjithashtu, në këtë takim është biseduar edhe për situatën e mirë në menaxhimin e pandemisë Covid-19, mbarëvajtjen e procesit të vaksinimit dhe administrimin e rreth 1.6 milionë dozave.

Me këtë rast, kryeministri Kurti ka falënderuar ShBA-në për ndihmën në procesin e sigurimit të vaksinave kundër Covid-19.

Duke ritheksuar aleancën e palëkundur me ShBA-në, kryeministri Kurti ka shprehur përkushtimin e qeverisë për të zgjeruar bashkëpunimin edhe më tej në fushën e edukimit, agrikulturës dhe investimeve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbrëmjen e sotme birra ‘’Peja’’ zgjodhi t’i vinte banorët në…