Kurti thotë se marrëveshjet Shqipëri-Kosovë nuk po zbatohen

25 nëntor 2018 | 13:30

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje (LV), Albin Kurti, ka thënë se liberalizimi ekonomik midis Kosovës dhe Shqipërisë është interes i kombit shqiptar.

Ai ka theksuar se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë shpie te fuqizimi i ndërsjellët drejt integrimit e bashkimit tonë dhe sipas Kurtit, kjo është në frymën evropiane dhe i kontribuon paqes e kohezionit.

“Kosova e Shqipëria kanë nënshkruar dhjetëra marrëveshje, memorandume e dakordime në takimet e tyre të përbashkëta që mbahen një apo dy herë në vit. Problemi është se në asnjë faqe zyrtare, as të Kosovës e as të Shqipërisë, këto marrëveshje nuk janë publikuar të plota. Ato nuk i janë sjellë Kuvendit të Kosovës për njoftim që nga viti 2014 e këtej”, ka deklaruar Kurti në një konferencë për medie.

Ai ka thënë se përveç se nuk janë publikuar marrëveshjet ato edhe nuk janë duke u zbatuar.

“Pra, sado që nënshkruhen këto marrëveshje, nga pikëpamja e zbatueshmërisë në secilin prej vendeve, referuar ligjeve përkatëse për marrëveshjet ndërkombëtare, dhe, kushtetutave e akteve nënligjore për fushëveprimin normativ të qeverive, këto marrëveshje në rendin juridik të secilit vend janë në shkallën më të ulët. Praktikisht, siç e shohim, ato nuk është e thënë të zbatohen dhe as nuk ka ndonjë mekanizëm që përbën detyrim për t’i zbatuar a respektuar nga qeveria në qeveri a nga shteti në shtet. Marrëdhëniet vëllazërore nuk po funksionojnë në asnjë nga marrëveshjet për zbatueshmëri”, është shprehur Kurti.

Ai ka treguar se katër vjet më vonë, Kosova ende nuk e ka zbatuar marrëveshjen për heqjen e lejeve të punës për shtetasit e Shqipërisë, ndonëse Shqipëria i ka hequr ato menjëherë pas nënshkrimit në vitin 2014.

Qeveritë e Kosovës kanë thënë njëra pas tjetrës se duhet të ndryshohet ligji për të huajt në Kosovë, por kur Ligji u ndryshua, kjo marrëveshje nuk u përfshi në të.

Ai ka thënë se duhet të priten efekte pozitive nga taksa 100 për qind ndaj produkteve serbe ndonëse metoda nuk është adekuate dhe përgatitjet mungojnë.

Kurse sa i përket Republikës së Shqipërisë, ai ka thënë se Shqipëria në politikën e saj të jashtme karshi Serbisë duhet ta ndjekë Kosovën.

“Ne jemi një komb në dy shtete, prandaj, nuk mund t’i kemi dy politika karshi Serbisë”, ka thënë Kurti.

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Leo Messi vazhdon të dhurojë spektakël në secilën ndeshje. Në…