Kurti thotë se siguria, vetingu, reforma pensionale dhe anëtarësimi në KE janë prioritete të qeverisë për vitin 2024

24 janar 2024 | 13:15

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të mërkurën ka numëruar disa nga prioritetet e Qeverisë së Kosovës për vitin 2024.

Ai në mbledhjen e qeverisë, ka thënë se Ministria e Financave do të vazhdojë me reformën pensionale.

“Ndërkohë që prioritet do të jetë edhe procesi i fiskalizimit, përmes së cilës do të rrisim formalizimin e ekonomisë”, ka thënë Kurti.

Ndërsa për Ministrinë e Industrisë, angazhimi prioritar, sipas Kurtit, do të jetë përmirësimi i ambientit për të bërë biznes.

“Një gjë e tillë do të ndodhë nëpërmjet shërbimeve më të mira për biznese, mbrojtjes së pronësisë industriale dhe rritjes së mbikëqyrjes së tregut”, ka thënë Kurti.

Më tutje, Kurti ka thënë se reforma në drejtësi është prioritet i qeverisë. Në këtë kontekst, ai ka thënë se vetingu do të jetë prioritet i Ministrisë së Drejtësisë.

“Vetingu po merr rrugë pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Luftën kundër korrupsionit këtë vit do ta bëjmë edhe përmes themelimit të Byrosë për konfiskimin civil dhe funksionalizimit të task-forcës antikorrupsion”, ka  deklaruar Kurti.

Ndërsa për sa i përket adresimit të krimeve të kryera gjatë luftës, Kurti ka thënë se ky proces do të vazhdojë me funksionalizimin e Institutit për krime të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Në mbledhjen e qeverisë, Kurti ka përmendur si prioritet edhe rritjen e kapaciteteve të mbrojtjes. Në këtë drejtim, ai ka thënë se mbrojtja do të jetë prioritet i parë i Ministrisë së Mbrojtjes.

Ministria e Brendshme e udhëhequr nga Xhelal Sveçla, sipas Kurtit, për sivjet do ta ketë për prioritet shtimin e kapaciteteve infrastrukturore rritjen e kapaciteteve njerëzore dhe investime në pajisje operacionale të policisë.

Ndërsa anëtarësimi i plotë në Këshillin e Evropës për kryeministrin Kurtin mbetet njëra prej synimeve kryesore të politikës së jashtme për këtë vit.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim…