Kurti tregon tri arsye pse presidenti duhet t’i ftojë partitë për datën e zgjedhjeve

21 korrik 2019 | 16:39

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka numëruar tri arsyeje për të cilat ka thënë se presidenti Hashim Thaçi duhet t’i thërras në konsulta partitë politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Kurti nëpërmjet llogarisë se vet në “Facebook” ka shkruar se me dorëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj të gjitha subjektet politike, si ne të opozitës po ashtu edhe ato të koalicionit qeveritar, kanë deklaruar që janë për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Postimi i plotë i Kurtit:

Zgjedhje? Po. Kur? Menjëherë.

Tri arsye pse Presidenti duhet t’i thërrasë partitë politike për datën e zgjedhjeve pa patur nevojë ta rilexojë nenin 95, pika 5, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës:

1. Kuvendi i Kosovës i është nënshtruar një deformimi të dyfishtë të vullnetit të qytetarëve pas zgjedhjeve të 11 qershorit 2017:
a) Shtator 2017: AKR kalon nga LAA te PAN dhe mundëson formimin e qeverisë;
b) Maj 2018: një dyzinë deputetësh ikën nga LVV te një partiçkë që garoi me PAN-in, dhe ia votuan qeverisë buxhetin 2019.

2. Pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese KO 43/19, më 27 qershor 2019 (mbi të ashtuquajturin ligj dhe delegacion për dialogun me Serbinë), pozita në pushtet e ngelur si qeveri e pakicës përfundoi edhe antikushtetuese.

3. Me të dhënë dorëheqje ish kryeministri, të gjitha subjektet politike, si ne të opozitës po ashtu edhe ato të koalicionit qeveritar, kanë deklaruar që janë për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Në këto rrethana, duhet shpërndarë Kuvendi. Kjo qeveri që kishim s’rrinte dot në këmbë. Ky Kuvend që kemi s’mund të mëkëmbë qeveri. Efektivisht, neni 82, pika 2, i rrinë situatës së krijuar. Çfarëdo që bën Presidenti e kjo nuk është për datë të zgjedhjeve të reja vetëm sa e zvarrit procesin duke e dëmtuar shtetin e Kosovës dhe interesin e qytetarëve.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Njohësi i çështjeve të arsimit, Dukagjin Popovci ka deklaruar se…