Kurti viziton të strehuarit në Parkun Inovativ në Prizren, nuk publikon fotografi, ruan privatësinë e tyre

02 dhjetor 2019 | 00:57

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka vizituar të dielën Parkun Inovativ në Prizren, ku janë të vendosur rreth 500 qytetarë të prekur nga tërmeti në Shqipëri.

Gjate kësaj vizite Kurti ishte i shoqëruar nga kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka, dhe deputetët e kësaj partie Artan Abrashi, Yllza Hoti, Arbër Rexhaj e Salih Zyba.

Kurti ka vendosur të mos publikojë fotografi gjatë kësaj vizite, duke ruajtur privatësinë e të strehuarve në kamp.

“Vendosëm të mos bëjmë fotografi në këtë aktivitet, për të ruajtur privatësinë e të strehuarve në kamp. Por, ne pamë që gjithçka po funksiononte në përpikëri: mjekët po bënin kontrollat sistematike për trajtimin e infeksioneve të lehta, atyre kronike e deri te sëmundjet akute; psikologët të gatshëm për trajtimin e të traumatizuarve; vullnetarët ishin duke i seleksionuar të gjitha ndihmat, nga ato higjenike te veshmbathjet, nga dyshekët te batanijet. Të gjitha nevojat elementare janë duke u plotësuar. Ndonëse çdo ditë ushqimi është duke u shtruar nga humanitarë zemërgjerë, në hapësirat e Kampit shpejt do të hapet edhe kuzhina ku do të gatuhet ushqim i freskët për refugjatët”, është bërë me dije në njoftimin e LV-së.

“Ish-hapësira e KFOR-it gjerman, sot Park Inovativ, edhe pse nuk mund ta ketë ngrohtësinë e shtëpisë, po ia del mbanë që mërzinë ta zbus. Në emër të organizatës sonë, i falënderojmë të gjithë për punën që po e bëjnë. Shteti i Kosovës, Qeveria jonë, i tërë populli ynë kurrë nuk e lë vetëm Shqipërinë. Çfarë ndodhi nuk mund të zhbëhet, por jeta duhet të triumfojë. Këto ditë pikëllimin po e kthejmë në forcë. Ne jemi një komb dhe nuk jemi mysafir te njëri-tjetri, Kosova është shtëpia e juaj sepse kombi shqiptar është streha jonë”, thuhet më tej në këtë njoftim.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkencëtarët po përpiqen të përcaktojnë nëse një këlysh i ngrirë…