Kusari-Lila: Qeveria nuk ka përplasje me ShBA-në për asociacionin
Shefja e deputetëve të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka asnjë përplasje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por ka ndryshim mendimesh.
Ajo pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ka folur edhe për ftesën që u ka dërguar Ambasada e ShBA-së në Kosovë për të diskutuar në lidhje me asociacionin.
Në këtë kontekst, Kusari-Lila ka thënë se në këtë takim janë ftuar përfaqësues nga dikastere të ndryshme qeveritare, opozita dhe shoqëria civile, të cilët sipas saj mund të kontribuojnë në çështjen e asociacionit.
“Qeveria e Kosovës nuk ka përplasje me ShBA-në. Mund të kemi ndryshim mendimesh në raport me procesin e dialogut dhe asociacionin. Ambasada e ShBA-së ka ftuar nga pozita ministra të dikastereve të veçanta që mendojnë se mund të kontribuojnë për çështjen e asociacionit dhe partive opozitare dhe shoqërisë civile”, ka thënë Kusari-Lila.



