Kusari – Lila u ‘tall’ me Nismën në Kuvend, Limaj: A e ka kaluar pragun ajo?

25 maj 2023 | 15:51

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj është kundërpërgjigjur ndaj deklarimit shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lilës, e cila teksa akuzonte opozitën ka përmendur se si Nisma Socialdemokrate s’e kishte kaluar pragun në zgjedhje.

Limaj, në një prononcim për “Insajderin”, ka pyetur nëse Kusari-Lila e ka kaluar pragun.

“Çfarë pragu e ka kaluar Mimoza Kusari? Në politikë duhet me pasë dinjitet. Edhe në jetë duhet me pasë dinjitet. Këto janë gjëra pa çmim. Po s’pate dinjitet, çdo gjë të doket rrafsh. Nisma nuk është gërvish dhe fito. Ajo ka dinjitet dhe bën angazhimin e vetë politik, sikurse e ka pasë politik dhe historik. I keshmi t’keshë”, ka deklaruar ndër të tjera Limaj.

Përgjatë seancës së Kuvendit, e ftuar nga opozita për shkarkimin e ministres së Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari, Kusari-Lila ka akuzuar PAN-in, teksa ka thënë se partneri i koalicionit të PDK-së dhe AAK-së nuk është pjesë e Kuvendit, sepse s’e ka kaluar pragun.

“Partneri juaj i koalicionit sot s’është këtu, sepse s’e ka kaluar pragun. Keni qenë partner koalicioni në PAN dhe ajo ministri jo që është keqmenaxhuar, por është abuzua skajshmërisht, me krejt çka ka qenë për t’u abazuar. Gjallë e vdekun aty brenda, e tash me nxjerrë e me kërkuar atë që ju mendoni që po bëhet përtej punës së mirë të qeverisë Kurti dhe ministres Hajdari është për çudi. Kjo është e paimagjinueshme në rrethanat në të cilat keni qenë në bashkëqeverisje dhe tash vjen thua asnjëherë më herët s’ka ndodh. Si po keni mundësi të keni të gjitha informatat e tjera, e s’po i keni për periudhën kur keni bashkëqeveris?”, ka deklaruar ndër të tjera në Kuvend ajo.

Për shkak të numrit të ulët të deputetëve të pranishëm në sallë, Kuvendi i Kosovës i ka mbyllur punimet e sotme, gjë që ka bërë që të mos hidhet në votim as rezoluta e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) përmes së cilës kërkohet shkarkimi i ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

PDK-ja përmes rezolutës e cila është prezantuar nga deputeti Ferat Shala, ka kërkuar nga Kuvendi dhe kryeministri Abin Kurti që në afat prej 15 ditësh nga miratimi i rezolutës, të shkarkohet ministrja Hajdari.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Autoritetet serbe kanë liruar të enjten tre serbë të Kosovës…