Kush e mbron sektorin privat në Kosovë?

14 gusht 2019 | 14:59

Shkruan: Safet Gërxhaliu

Kanë kaluar vite pas luftës në Kosovë dhe tani kremtohet 20-vjetori i lirisë por Kosova nuk ka qenë në pozitë më të vështirë qoftë në aspektin politik, ekonomik, social dhe integrues.
Në një shtet ku agjenda politike dominon, ndërsa politika dhe politikanët merren me vetveten, është utopike të mendohet në zhvillim ekonomik, stabilitet social, në përshpejtim të proceseve integruese dhe në përmirësim të imazhit të Kosovës.
Ajo çka dhemb më së shumti është fakti se për çdo dështim tentohet të fajësohen të tjerët, ndërsa problemi jemi ne dhe është Kosova.

Humbet kohë në tentim për të hijeshuar të kaluarën me qëllim të rritjes së popullzimit inekzistent dhe në gërshetim të këtyre rrethanave enorm negative për Kosovën është duke lulëzuar krimi, kontrabanda, degradimi i vlerave, politizimi i skajshëm i çdo gjëje që quhet publike dhe shtetërore, në veçanti një qasje agresive për të dëmtuar bizneset e mirëfillta apolitike përmes shantazhit, presionit, mitos dhe korrupsionit, që sot është në shkallën më të lartë të zhvillimit dhe të rritjes.

Ky fenomen është duke u rritur dhe fuqizuar më shpejtë se sa vet shteti.
Derisa duartrokitën me veprime populiste, duke vendosur taksa të ndryshme kundër vendeve të rajonit me qëllim kinse të mbrojtjes së prodhimit vendor, ku Kosova dëmtohet në çdo aspekt, në veçanti izolohet nga Evropa dhe shtetet demokratike ndërkombëtare.
Koston e këtij populizmi është duke e paguar qytetari i Kosovës përmes ngritjes së çmimeve të produkteve bazike, përmes inflacionit marramendës edhe për kundër asaj që valutë e kemi euron. Sot falë këtij populizmi Kosova renditët në një ndër shtatë shtetet më të shtrenjta në Evropë me çmime më të larta se sa në Evropë, ndërkaq ka të hyra afrikane.
Duhet të kuptohet se kjo rrugë është mjaftë e gabuar dhe pasojat do t’i bartim të gjithë ne. Ata që sjellin vendime të tilla dhe që janë pjesë e krimit orkestrues të korrupsionit dhe kontrabandës, këtë e bëjnë për fat të keq në emër të patriotizmit folklorik në të cilin nuk beson askush përveç atyre që përfitojnë.

Falë vendimeve të tilla, Kosova është shndërruar në shtet të pashpresë dhe të paperspektivë. Këtë e dëshmon më së miri ikja e popullatës nga ky vend.
Ditëve të fundit disa biznese prodhuese më janë adresuar me ankesa të shumta, në veçanti në Doganën e Kosovës për një qasje joprofesionale, denigruese, korruptive dhe amorale. Është shqetësuese që me fenomenin e korrupsionit dhe presionit nga Dogana e Kosovës pësojnë më së shumti bizneset prodhuese me rastin e importeve të lëndës së parë ose pajisjeve të ndryshme për prodhim, ku shumë më tepër humbet kohë për të gjetur arsye për t’i dënuar se sa për t’i ndihmuar.

Në qoftë se nuk jep ryshfet do të jesh i dënuar dhe arsyetimi do të jetë, paguaj dënimin dhe bëje një ankesë e cila do të shqyrtohet.
Hipokrizia në Kosovë nuk ka fund por të dëmtosh në këtë masë bizneset prodhuese, në të njëjtën kohë kur është vënë taksa 100 për qind kinse për të mbrojtur prodhimin vendor është një hipokrizi që dëshmon se Kosova udhëhiqet nga parlamenti dhe qeveria më e dobët në 20 vitet e fundit.

Politizimi dhe qasja ndaj institucioneve që të jenë në funksion të pushtetit nuk ka të ndalur.
Tash lind pyetja se a ka moral në këtë shtet dhe te këta pushtetarë?
A ekzistojnë asociacione të biznesit që janë “pro business” të orientuara apo të orientuara drejt servilitetit politik dhe mbrojtjes së interesave të grupeve të caktuara të interesit.
Një Kosovë pa sektor privat të zhvilluar nuk mund të mbijetojë, prandaj duhet të kuptohet se sektori privat për të përmirësuar indikatorët kryesorë ekonomikë siç është rritja e prodhimit, rritja e eksporteve, krijimi i vendeve të reja të punës dhe përmirësimi i imazhit të Kosovës përmes promovimit të brendeve “Made in Kosova” duhet të jenë prioritet për një ekonomi dhe sektor privat të zhvilluar.

Pra, nuk duhet demagogji dhe politizim steril, por hapa konkret drejt mbështetjes së tyre dhe objektivave shtetërore.
Serviliteti i tepruar dhe egoist i asociacioneve të biznesit në Kosovë përballë politikës do ta varrosë perspektivën e punësimit të të rinjve dhe do të ndikojë edhe më tepër në migrim, që kjo do të jetë edhe arritja më e madhe e kundërshtarëve të pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Emëruesi i përbashkët i zgjidhjes së gjithë këtyre problemeve është sundimi i rendit dhe ligjit, i cili lë për të dëshiruar, sepse është larg realitetit për çfarë ekziston.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Autoritet e rendit në Maqedoninë e Veriut kanë vendosur  për…