Kush është racisti Stojkoviç? Rrëfehet legjenda Sahit Kelmendi

04 dhjetor 22:58

Derisa Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri ishin protagonistë për të mirë tek Kombëtarja e Zvicrës në ndeshjen me Serbinë, e po ashtu i bënë krenarë edhe krejt shqiptarët me paraqitjet e tyre, selektori i serbëve, Dragan Stojkoviç ishte hije e keqe e lojës dhe protagonist negativ.

Trajneri serb e shfaqi haptas mllefin dhe urrejtjen që e ka për shqiptarët.

Pas njërit prej golave të serbëve ndaj “Helvetikëve” në Kupën e Botës, Stojkoviç u kap nga kamerat duke i fyer nënat shqiptare.

Kjo ishte veç një vazhdimësi i provokimeve dhe e skandaleve që i bënë serbët në Katar, para se të ktheheshin në shtëpi, pasi edhe më parë e shfaqën një hartë të Kosovës me ngjyrat e Serbisë dhe me thirrjen nacionaliste dhe nxitëse “S’ka dorëzim”, duke aluduar në Kosovën, derisa në natën e ndeshjes ndaj Zvicrës në tribuna u dëgjuan thirrjet e rënda si: “Vrite, vrite shqiptarin”, apo edhe “Kosova është zemra e Serbisë.”

E trajnerin serb para shumë kohësh e kishte pasur mundësinë ta njihte legjenda e FC Prishtinës, Sahit Kelmendi, shkruan “Express”.

Selektori i Serbisë në atë kohë ishte futbollist i njohur që luante në Nish dhe për ta ruajtur formën, kishte ushtruar tek klubi më i madh kosovar.

Kelmendi thotë se Stojkoviç kishte përdorur “maskë” sa ishte ushtar, pasi më vonë e kishte treguar fytyrën e tij të vërtetë.

Legjenda e Prishtinës shton se është ndier jashtëzakonisht i fyer kur e pa përmes mimikave të gojës fyerjen që ua bëri Stojkoviç shqiptarëve, i mllefosur edhe me prezencën dhe paraqitjen e jashtëzakonshme të Xhakës e Shaqirit.

“Stojkoviçin e njoh që nga vitet e 80-ta. Ai kishte ardhur në Prishtinë për ta kryer shërbimin ushtarak. Në atë kohë ishte pjesë e Radniçkit të Nishit, por në periudhën kur ishte ushtar, pati ardhur për të ushtruar kohë pas kohe në klubin tonë, në Prishtinë. Klubi dhe lojtarët e kemi pritur mjaft mirë atë pasi nuk e dinim se çka fshihej prapa tij”, e kujton atë kohë Kelmendi, në një bisedë me “Gazetën Express”.

“Tek pas përfundimit të shërbimit ushtarak ai kishte dalë publikisht duke thënë se e përkrah politikën e Sllobodan Milloseviçit. Nga ajo kohë e kemi injoruar totalisht, i kemi shkëputur kontaktet me të. E tash, ai e tregoi fytyrën e vërtetë, e vërtetoi urrejtjen që e ka ndaj shqiptarëve. Ai i shau nënat shqiptare, në këtë rast më shau edhe mua. Duhet t’i vijë turp. Mllefin e tij ndaj shqiptarëve me atë gjest e transmetoi gjatë lojës edhe tek lojtarët, të cilët i kishin cak lojtarët shqiptarë, Xhaka e Shaqiri. Ata harruan se Serbia po luante me Zvicrën, e jo me Kosovën apo me Shqipërinë. Djemtë tanë, Xhaka e Shaqiri, na bënë krenarë në këtë lojë, njëjtë si çdo herë”, vazhdoi Kelmendi.

Sipas tij, Stojkoviç ka punuar kundër shqiptarëve dhe është munduar ta pengojë ndërkombëtarizimin e futbollit kosovar, pra pranimin në UEFA e në FIFA edhe kur ishte president i Federatës Serbe të Futbollit, shkruan “Gazeta Express”.

Ndaj fyerjes së rëndë që ua bëri shqiptarëve trajneri Stojkoviç dhe ndaj thirrjeve raciste ndaj shqiptarëve, që u dëgjuan non-stop në ndeshjen e 2 dhjetorit, ka reaguar edhe Federata e Futbollit të Kosovës, e cila ka bërë ankesë në FIFA, njëjtë siç kishte bërë edhe për rastin e hartës së Kosovës me ngjyrat e flamurit serb dhe me mbishkrimin “S’ka dorëzim”, të shfaqur paraprakisht nga serbët në “Katar 2022”.

Shtëpia e futbollit kosovar kërkon nga FIFA të bëjë hetim të këtij rasti dhe sanksione ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë, në mënyrë që thirrjet fashiste njëherë e përgjithmonë të qëndrojnë larg stadiumeve të futbollit dhe larg eventeve si Kupa e Botës.

Stojkovič dhe Arkani

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ushtruesi i Detyrës së OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, ka paralajmëruar protestë…