Kush i drejtonte forcat e Ushtrisë Jugosllave në Kosovë gjatë vitit 1998-1999

20 dhjetor 18:52

Gjatë luftës në Kosovë, Armata III-të komandohej nga gjeneral-kolonel Nebojsha Pavkoviq, i cili në këtë pozitë u promovua në nëntor 1998, në të njëjtën kohë kur Ojdaniq u emërua shef i Shtabit të Përgjithshëm të UJ. Deri në këtë kohë, Pavkoviq kishte komanduar Korpusin e Prishtinës të Armatës III të UJ.

Njëkohësisht, në nëntor 1998 gjeneral-major Vladimir Llazareviq emërohet komandant i Korpusit të Prishtinës

Nga Sabit SYLA

Ushtria Jugosllave kishte një personel prej 85.000 deri në total prej 114.000 njerëzish me një forcë rezerve që shkonte deri 200.000. Vlerësohej se në Kosovë në fillim të vitit 1999 kishte 15.000 trupa, numër që u rrit në 20.000 në fund të prillit. Në këtë shifër nuk përfshihen 30.000 policë, paramilitarë dhe trupa tjera të parregullta. Armata III e Ushtrisë Jugosllave kishte këtë strukturë: Grupi Taktik i Timokut, Korpusi i Nishit, Korpusi i Leskovcit dhe Korpusi i Prishtinës (i njohur edhe si korpusi 52). Korpusi i Prishtinës që përfshinte territorin e Kosovës përbëhej nga:

– Brigada 15 e motorizuar (Prishtinë)

– Brigada 125 e motorizuar (Mitrovicë-Pejë)

– Brigada 549 e motorizuar (Prizren-Gjakovë)

– Brigada 243 e mekanizuar (Ferizaj-Gjilan)

– Brigada 52 e përzier e artilerisë (Gjilan)

– Njësia 52 e Policisë Ushtarake (Prishtinë)

– Regjimenti 311 i mbrojtjes kundërajrore, Regjimenti 83 i aviacionit dhe Regjimenti 82 i inxhinierisë

– Batalioni 53 kufitar (Gjakovë)

– Batalioni 55 kufitar (Prizren)

– Batalioni 57 kufitar (Ferizaj).

Gjatë luftës, Armata III u komandua nga gjeneral-kolonel Nebojsha Pavkoviq, i cili në këtë pozitë u promovua në nëntor 1998, në të njëjtën kohë kur Ojdaniq u emërua shef i Shtabit të Përgjithshëm të UJ. Deri në këtë kohë, Pavkoviq kishte komanduar Korpusin e Prishtinës të Armatës III të UJ. Njëkohësisht, në nëntor 1998 gjeneral-major Vladimir Llazareviq emërohet komandant i Korpusit të Prishtinës.

Forcat speciale të UJ ishin aktive gjatë luftës. Në kuadër të Njësive Speciale ushtarake gjatë prillit 1998 përfshiheshin: brigadat kufitare, Brigada 63 parashutiste, Brigada 72 speciale, njësitë antiterroriste të Policisë Ushtarake – Kobra dhe Fajkojtë, brigadat e blinduara, etj.

Zona e përgjegjësisë së Armatës III përbëhej nga dy korpuse: i Nishit dhe i Prishtinës. Këto korpuse përbëheshin nga një numër i caktuat brigadash, batalionesh dhe ekipesh. Korpusi i Prishtinës ishte përgjegjës për territorin e Kosovës. Korpusi i Prishtinës nuk mund të vepronte pa miratimin e komandantit të Armatës III. Gjatë vitit 1999 Korpusi i Prishtinës përbëhej nga 12 brigada, të cilat ishin të ngarkuara të vepronin brenda Kosovës. Në mesin e këtyre brigadave janë: Brigada 15 e blinduar, Brigada 125 e motorizuar; Brigada 243 e mekanizuar; Brigada 549 e motorizuar; Brigada 52 e përzier artilerike e kundërajrore; Brigada 37 e motorizuar dhe Brigada 211 e blinduar.

Në fillim të sulmeve të NATO, 24 mars 1999, Korpusi i Prishtinë kishte më pak se 18.000 ushtarë. Ky numër ndryshoi dhe deri më 13 prill 1999, Korpusi i Prishtinës kishte 61.892 pjesëtarë, përfshirë njësitet e bashkëngjitura dhe vullnetarët. Në UJ ekzistuan dy njësi elite speciale që merreshin me operacione ushtarake: Brigada 63 parashutiste dhe Brigada 72 Speciale. Krahas këtyre dyjave vepronte edhe batalioni 52 i policisë ushtarake i ngarkuar me operacione. Që të trija njësitë vepruan në Kosovë në kuadër të Korpusit të Prishtinës. Më 14 maj 1999 Shtabi i Përgjithshëm i UJ lëshoi urdhrin për futjen në veprime luftarake të policisë ushtarake. Në mbledhjen e kolegjiumit të Shtabit të Përgjithshëm të UJ, shkurt 1999, të pranishmit u informuan se UJ kishte armatosur rreth 47.000 serbë dhe se ishin dërguar municione nëpër fshatra. Detyrë e këtyre serbëve ishte qe së bashku me njësitet e UJ të merrnin pjesë në operacionet në rrethinën e tyre.

FORMIMI I KOMANDËS SË PËRBASHKËT

Më 9 qershor 1998, UJ e hartoi planin dhe veprimin e koordinuar midis UJ dhe MPB. Ky plan u miratua më 21 korrik 1998 në një mbledhje të nivelit të lartë ushtarak dhe politik serb, përfshirë Millosheviqin dhe figurat kryesore në UJ dhe MPB. Në një mbledhje tjetër që u mbajt të nesërmen në Prishtinë, Vlastimir Gjorgjeviq bëri të ditur formimin e një komande në nivelin e lartë, që do të quhej Komanda e Përbashkët. Nga 22 korriku 1998 e deri në fund të tetorit 1998 Komanda e Përbashkët u takua së paku 2-3 herë gjatë një jave, varësisht nga rrethanat apo intensiteti i luftës. Takimi i parë u mbajt në ndërtesën e MPB në Prishtinë, kurse të tjerat kryesisht në ndërtesën e Këshillit Ekzekutiv në Prishtinë. Dokumentacioni tregon se Komanda e Përbashkët kishte vepruar së paku deri më 1 qershor 1999. Në procesverbalin e kolegjiumit të UJ të datës 21 janar 1999 vihet re vështrimi i gjeneral Ojdaniqit se operacioni në Reçak ishte urdhëruar nga Komanda e Përbashkët. Nga numri i madh i urdhëresave të lëshuara nga Komanda e Përbashkët lidhur me udhëheqjen e operacioneve luftarake në Kosovë, shihet se Komanda e Përbashkët kishte rol kryesor në planifikimin dhe komandimin e operacioneve të përbashkëta midis UJ dhe MPB.

Komanda e Përbashkët përbëhej nga funksionarë të lartë politikë, udhëheqës të lartë të MPB e të UJ në Kosovë. Në krye të saj gjendej Nikolla Shainoviq, atëherë zv/kryeministër në qeverinë federale. Në mbledhjen e Komandës së Përbashkët të datës 26 shtator 1998, Pavkoviqi dhe Lukiqi kishin raportuar se operacioni edhe në rrethinën e Abrisë së Epërme kishte përfunduar dhe se kjo Komandë e Përbashkët e kishte urdhëruar operacionin në fjalë.

(Autori është drejtor i Institutit të Historisë “Ali Hadri” – Prishtinë)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Babai i futbollistit të njohur, Milot Rashica, Nexhmedin Rashica është…