Kurti ia përmend Thaçit letrën dërguar Trumpit për çështjen e dialogut

08 korrik 2019 | 15:51

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka bërë me dije se janë bërë gjashtë muaj që kur presidenti Hashim Thaçi ia ka dërguar një letër homologut të tij amerikan, Donald Trump në lidhje me dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Kurti ka thënë se që nga ajo kohë Thaçi nuk ka marrë asnjë përgjigje nga Trumpi.

“‘Siç kemi diskutuar në Paris, dhe siç u kam shpjeguar më në detaje sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo, si dhe këshilltarit për siguri kombëtare, John Bolton, gjatë vizitave të mia të paradokohshme në Uashington, pajtohem me ju se një marrëveshje që do të zgjidhte të gjitha çështjet e hapura në mes të Kosovës dhe Serbisë është afër tani’. (8 janar 2019). Gjashtë muaj u bënë sot nga letra që ia dërgoi presidentit Trump. Mirëpo Thaçi nuk mori përgjigje (paçka se aty shprehte edhe gatishmëri edhe vullnet për kompromiset e nevojshme)”, ka shkruar Kurti në llogarinë e vet në “Facebook”, duke e cituar presidentin Thaçi.

Më tutje, Kurti ka pyetur se pse nuk ka asnjë raport zyrtar nga presidenti as për institucionet dhe as për qytetarët e Kosovës mbi përmbajtjen e pozicioneve aq shumë të afruara me Serbinë.

“Si na paska qenë afër marrëveshja që zgjidh të gjitha çështjet e hapura në mes Kosovës e Serbisë?! Pse nuk ka asnjë raport zyrtar nga presidenti as për institucionet dhe as për qytetarët e Kosovës mbi përmbajtjen e pozicioneve aq shumë të afruara me Serbinë? Çka qenka kjo gati-marrëveshje që i zgjidh të gjitha çështjet e hapura për dallim nga 33 marrëveshjet e dialogut paraprak gjashtëvjeçar? Pazar sekret, sigurisht. Mirëpo, edhe projekt i dështuar, gjithsesi. Nga protesta më e madhe e Kosovës së pasluftës ‘Një popull s’i nënshtrohet një njeriu’ (mbajtur më 29 shtator 2018) e deri te vendimi i Gjykatës Kushtetuese që diskreditoi Qeverinë, presidentin dhe ekipin e tyre rezervë për dialog (publikuar më 27 qershor 2019), të gjithë akrobatët e morën përgjigjen e merituar”, ka shkruar Kurti.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky kërkoi sot një takim me homologun…