Kuvendi i Izraelit dhe ai i Kosovës do ta thellojnë bashkëpunimin

23 maj 2022 | 15:50

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së dhe kryetar i Grupit të Miqësisë Kosovë-Izrael, Avdullah Hoti, ka zhvilluar të hënën një takim online me deputetin Ali Salalha, që është emëruar kryetar i Grupit të Miqësisë Kosovë-Izrael në Kuvendin e Izraelit.

Në këtë takim pjesëmarrës ishin edhe dy ambasadoret e dy vendeve, Tamara Ziv, ambasadore e Izraelit për Republikën e Kosovës dhe Ines Demiri, ambasadore e Republikës së Kosovës në Izrael.

“Falënderova z. Salalha për takimin, diskutuam disa tema me rëndësi për thellim të bashkëpunimit ekonomik dhe politik. Disa nga kërkesat që shtrova në këtë takim janë:  Marrëveshje për tregti të lirë në mes të dy vendeve, Marrëveshje për eliminim të tatimit të dyfishtë,  të punohet për lëvizje pa viza për qytetarët e të dy vendeve dhe Marrëveshje për punësim sezonal në Izrael”, ka shkruar Hoti në llogarinë e vet në “Facebook”.

Ndërsa Salalha, sipas Hotit është shprehur i gatshëm për të shtyrë përpara këto kërkesa dhe çdo çështje që kontribuon në thellimin më tutje të bashkëpunimit në mes të dy vendeve.

“Të dyja palët u dakorduam që se shpejti të takohemi dhe t’i konkretizojmë këto kërkesa që janë të rëndësishme për qytetarët tanë”, ka shkruar Hoti.

Ndryshe në kuadër të marrëveshjes ekonomike Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë në shtator 2020 në prani të ish-presidentit të ShBA, Donald Trump, ishte rënë dakord edhe për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike Kosovë-Izrael.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tirana do të presë më 25 maj finalen e parë…