Kuvendi jep detaje të takimit Konjufca-Escobar

17 mars 2023 | 12:35

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga shefi i kabinetit, Ilir Kërçeli, ka pritur të premten në takim zëvendësndihmëssekretarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe emisarin special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, që shoqërohej nga Alyson Grunden, zëvendësshefe e Misionit të ShBA-së në Kosovë, Paul Pfeuffer, këshilltar për çështje ballkanike në Departamentin Amerikan dhe Greg Viola, zyrtar politik në Ambasadën amerikane.

Siç ka njoftuar Kuvendi i Kosovës, në këtë takim është diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend, rajon dhe më gjerë, procesin e dialogut dhe hapat e mëtejmë, me fokus të veçantë propozimin e BE-së për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

“Kryetari Konjufca theksoi se Republika e Kosovës është e përkushtuar për fqinjësi të mirë, paqe dhe stabilitet në rajon. Gjithashtu, për dallim nga Serbia si palë minuese, Republika e Kosovës ka luajtur rol konstruktiv përgjatë gjithë procesit të dialogut, përfshirë edhe takimin e 27 shkurtit në Bruksel. Tutje, ai nënvizoi se asnjëherë nuk do ta humbim fokusin nga njohja e plotë, dhe se çfarëdo marrëveshje që mund të arrihet në procesin e dialogut me Serbinë duhet të respektojë në plotni sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.  Kryetari i Kuvendit e falënderoi emisarin amerikan, Gabriel Escobar për angazhimin dhe rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-së në procesin e dialogut, teksa i vlerësoi të shkëlqyera marrëdhëniet dypalëshe dhe shprehu gatishmërinë për fuqizimin dhe avancimin e partneritetit të ndërsjellë”, ka njoftuar Kuvendi i Kosovës.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Debati për nominimin e kësaj jave, u rihap edhe njëherë…