Kuvendi Komunal i Podujevës mban seancë për Ditën e Pavarësisë

17 shkurt 2021 | 17:14

Me një mbledhje solemne, Kuvendi i Komunës së Podujevës ka shënuar 13-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Përveç këshilltarëve, kryetarit të komunës, anëtarëve të ekzekutivit, ishin të pranishëm edhe përfaqësues institucionesh lokale, anëtarë të familjeve të dëshmorëve dhe përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së.

Në hapjen e kësaj mbledhje, kryesuesi i Kuvendit, Fatmir Gashi, ka thënë se pas 28 nëntorit të vitit 1912, kur Shqipëria shpalli pavarësinë e saj, 17 shkurti i vitit 2008, dita kur Kosova u shpall shtet i pavarur dhe sovran, është ngjarja tjetër më e rëndësishme për të gjithë shqiptarët.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, në fjalën e tij tha se më 17 shkurt 2008 Kosova realizoi aspiratën e saj shekullore, shpalljen shtet i pavarur dhe sovran, që pa dyshim është çasti më sublim i gjithë historisë së Kosovës.

Kryetari Bulliqi ka thënë se “vetëm Kosova e pavarur dhe e barabartë për të gjithë është jetësim i përpjekjeve të brezave që u sakrifikuan për liri”.

Për nder të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, kryetari Bulliqi bashkë me Shoqatën Bjeshkatare Alpiniste “Llapi” kanë zhvilluar marshin e ecjes përgjatë fshatrave Lladoc, Herticë dhe Turuqicë dhe kanë bërë homazhe te kompleksi memorial i heroit Hakif Zejnullahu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tenisti Rafael Nadal ka pësuar humbje befasuese në çerekfinale të…