Kuvendi mblidhet dy herë javën e ardhshme

14 prill 2023 | 16:28

Nën drejtimin e kryetarit Glauk Konjufca, Kryesia  e Kuvendit të Kosovës të premten ka mbajtur mbledhjen e radhës, në të cilën morën pjesë edhe kryetarë të grupeve parlamentare.

Kryesia ka vendosur që Kuvendi të mblidhet në seancë plenare të mërkurën, më 19 prill 2023, për të vijuar punën me pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara.

Një ditë më pas, më 20 prill do të mbahet seancë e re.

Fillimisht Kuvendi do të trajtojë dy pikat e zakonshme të rendit të ditës, deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare, për të vazhduar tutje me pikat e parapara.

Kështu, në lexim të dytë pritet të votohen dy projektligje: Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive ekzekutive, si dhe Projektligji për prokurorin e shtetit. Po ashtu do të votohen edhe rekomandimet lidhur me Raportin e auditimit të teknologjisë së informacionit “Sistemi për menaxhimin e pagave”, si dhe ato lidhur me Raportin e auditimit: “Funksionimi i sistemit të Grantit të Performancës Komunale dhe menaxhimi i projekteve të financuara nga Donatorët për vitin 2021”.

Pikë e radhës e rendit të ditës do të jetë shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator sistemi, transmisioni dhe tregu sh. A.) dhe  Frankfurt am Main (KFW), për të vijuar me shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”.

Në lexim të dytë, ndërkaq, parashihet të shqyrtohet Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, për të përfunduar me shqyrtimin e Propozim-rezolutës për shpenzimet e parasë publike për dy vite mandat të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Kryesia në mbledhjen e sotme shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vajzat e “Big Brother VIP” diksutohen shpesh për paraqitjen e…