Kuvendi nesër diskuton për gjendjen në Telekom

13 maj 2019 | 15:32

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur të hënën, të drejtuar nga Kadri Veseli, kryetar, në të cilën morën pjesë edhe përfaqësuesit e grupeve parlamentare, ka përcaktuar agjendën e punës së Kuvendit për këtë javë.

Kështu, Kryesia vendosi që nesër (e martë) në orën 10:00, Kuvendi të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme, sipas kërkesës së 40 deputetëve, për të diskutuar lidhur me gjendjen në Telekomin e Kosovës dhe masat që i ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës në zbatimin e Rezolutës nr. 06-R-013, dt. 12.07.2018 lidhur me gjendjen financiare në Telekom dhe Postën e Kosovës.

Të mërkurën, ndërkaq, më 15 maj, do të vazhdojë seanca me pikat e mbetura nga seancat e kaluara.

Të enjten, më 16 maj, në orën 10:00, Kuvendi do të mbajë seancë të rregullt plenare, në të cilën do të shqyrtohet iniciativa e kryeparlamentarit Kadri Veseli, për Tribunalin për gjenocidin serb në Kosovë.

Pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, pikë e rendit të ditës do të jetë shqyrtimi i propozim rezolutës për gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të ish-regjimit shtetëror serb në Kosovë, dhe më pas formimi i Komisionit shtetëror për lansimin e Tribunalit për gjenocidin serb në Kosovë.

Pika të tjera të kësaj seance do të jenë: vendimi për ndërtimin e Muzeut të Gjenocidit, tek ish-Tjegullorja, ndërtimi i Memorialit të dëbimit, te Stacioni hekurudhor i Prishintës, si dhe caktimi i Ditës së Gjenocidit.

Një seancë e veçantë e Kuvendit do të mbahet më 21 maj, për të përkujtuar masakrën e Dubravës, në 20-vjetorin e saj.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetrajneri i Prishtinës, Mirel Josa me Llapin ka pasur paraqitjen…