Kuvendi për 6 muaj shpenzoi mbi 3.8 milionë euro

04 tetor 2023 | 13:02

Mbi 3.8 milionë euro ka shpenzuar Kuvendi i Kosovës vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti. Këto shpenzime janë bërë me dije në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere.

Arben Loshi, zëvendëssekretar i përgjithshëm i Kuvendit, ka thënë se këto shpenzime janë bërë në pesë programet e Kuvendit.

“Raporti i shpenzimeve të Kuvendit për shpenzimet e buxhetit për gjashtëmujorin e këtij viti për pesë programet, për deputetët e Kuvendit apo anëtarët, administratën e Kuvendit, për stafin mbështetës politikë, Komisionin për hetime shtetërore dhe komisionerin parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Shpenzimet e gjashtëmujorit të parë të viti 2023 për pesë programet e lartcekura janë në shumën  3 milionë e 880 mijë e 950 euro, në përqindje 35.74 për qind e realizmit të buxhetit”, ka thënë Loshi.

Ndërsa deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica, ka adresuar disa kritika për ndaj administratës së Kuvendit. Ai ka thënë se pajisjet në Kuvend tash e sa kohë janë jashtë funksionit. Po ashtu, Korenica ka thënë se për këtë dikush duhet që të marr përgjegjësi.

“Statusi i pajisjeve të Kuvendit që nuk janë funksionale tash e një kojë dhe po krijon probleme gjatë votimit, shpeshherë edhe zërimi nuk është në rregull. Çfarë nuk po funksionon me pajisjet e zërimit? Nuk është në funksion të plotë sistemi apo vetëm pjesa e votimit. Duhet dikush ta marrë përgjegjësinë pse sistemi nuk funksionon, pothuajse për tri vjet. Nuk mund t’i pranojë arsyetimet. Nuk ka mundësi mos me pasur një operator që e kryen një punë teknike”, ka thënë Korenica.

Në raport me këtë kritik është përgjigjur Arben Loshi, i cili ka thënë se Kuvendi ka problem që sa kohë me këto pajisje, por sipas tij kjo çështje nuk është përgjegjësi e administratës.

“Sa i përket pajisjeve ka probleme disa vjet, kur një pjesë e mikrofonave nuk janë funksional. Nuk ka përkrahje dhe nuk prodhohen më këto pajisje në treg. Në të dy rastet ka probleme teknike, për atë qëllim është planifikuar buxheti për blerjen e pajisjeve të reja. Ky projekt është në procedurën e realizimit. Përgjegjësia nuk është tek administrata e Kuvendit”, ka thënë ai.

Më tutje, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka adresuar kritika sa i përket shpenzimeve nga kryetari i Kuvendit dhe kabineti i tij. Sipas tij, mbi 51 mijë euro janë shpenzuar për shëtitje brenda e jashtë vendit dhe për dreka e darka.

“Diku 51 mijë e 322 euro janë shpenzuar për kryetarin dhe kabinetin e tij për shëtitje brenda dhe jashtë vendit për dreka dhe darka. Duke goxha një shpenzim i jashtëzakonshëm. A ka pasur planifikime?”, ka pyetur Lushtaku.

Duke u përgjigjur në pyetjen e Lushtakut, Loshi ka thënë se sa i përket shpenzimeve të kryetarit, nënkryetarëve dhe deputetëve vendos Kryesia e Kuvendit.

Sipas tij, vendimet e Kryesisë janë të obligueshme që të zbatohen nga administrata e Kuvendit.

Në anën tjetër, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se deputetët kanë bërë kërkesa që të kenë zyre që diskutimet mos t’i bëjnë në kafe.

“Është kërkesë që të kemi zyre. Sa keni tentuar që të gjeni hapësira që të akomodohen deputetët? Kërkesa është e kamotshme, por s’është realizuar”, ka thënë Lekaj.

Sa i përket kësaj çështjeje,  Loshi ka thënë se nuk kanë ndonjë zgjidhje për momentin.“Për momentin nuk është që ka një objekt ose zgjidhje të caktuara për këtë çështje”, ka thënë Loshi. /EO

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në një ‘Ask’ ditën e sotme ndjekësit e kanë pyetur…