Lajçak: Ne fokusohemi në normalizim të raporteve, duam të shmangim çfarëdo përshkallëzimi

11 maj 2023 | 10:36

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak pas takimit me kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, ka thënë se kanë diskutuar mbi procesin e normalizimit dhe hapat e mëtejmë pas takimit në Bruksel.

“Erdha në Prishtinë sot për të diskurtar me kryeministrin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Bislimi rrugën përpara në procesin e normalizimit pas takimit të 2 majit. Është e rëndësishme që e kuptojmë qartë sekuencën e hapave (që do të ndërmerren), kështu që patëm një diskutim të rëndësishëm në të gjitha aspektet. Unë do të kem të njëjtat diskutime nesër në Beograd”, ka theksuar Lajçak.

Duke folur para gazetarëve pas takimit, emisari evropian tha se qëllimi i takimit ishte të krijohet një kuptim i qartë se si do të veprohet tani e tutje.

“Ne kemi marrëveshjen, kemi aneksin, ndaj duhet të kemi një kuptim të qartë të hapit të parë, hapit të dytë dhe hapit të tretë”, u shpreh ai, duke shtuar se diskutimi me kryeministrin e Kosovës ishte “shumë intensiv por shumë i rëndësishëm”.
Emisari i BE-së ka treguar se sot pasdite do ta vizitojë edhe veriun e Kosovës, sipas tij, për ta kuptuar dhe parë “vetë situatën atje” duke shpresuar se “do të ketë një zgjidhje politike për t’u fokusuar në normalizim dhe marrëveshje”.

“Ne mund të kemi ose normalizim, ose konflikt. Sigurisht se ne duam të fokusohemi plotësisht në normalizim, prandaj duam të shmangim çfarëdo përshkallëzimi, nuk është në interesin e askujt”, u shpreh Lajçak.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rreth 1800 shikues janë mbledhur në palestrën “Minatori” në Mitrovicë…