
Lajçaku i takon ndaras Kurtin dhe Vuçiqin para takimit ballë për ballë
Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka takuar veçmas kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Siç ka thënë Lajçaku, takimet janë mbajtur si pjesë e përgatitjeve për takimin brenda dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës, i cili është planifikuar të nis rreth orës 15:30.
“Këtë mëngjes, kam mbajtur takime të ndara me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq për t’u përgatitur për takimin e nivelit të lartë të Dialogut këtë pasdite”, ka shkruar Lajçaku në llogarinë e vet në “Twitter”.
Kurti pritet të takohet edhe me shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell përpara se ta takojë Vuçiqin, i cili gjithashtu paraprakisht do të takohet me Borrellin.
Ky do të jetë takimi i dytë në mes të Kurtit dhe Vuçiqit. Takimi i parë ndërmjet tyre është zhvilluar më 15 qershor.
This morning, I held separate meetings with Prime Minister of Kosovo @albinkurti and President of Serbia @predsednikrs @avucic to prepare for the high-level meeting of the Dialogue this afternoon. pic.twitter.com/lsJstBnoGA
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) July 19, 2021