Lamtumira e hidhur dhe e përlotur e Petr Cech

30 maj 2019 | 12:20

Finalja e Ligës së Evropës në Baku ishte jo vetëm e lamtumirës së Eden Hazard nga Chelsea. Lotët e një miti tjetër rrodhën nga sytë. Ai që i tha lamtumirën futbollit ishte Petr Cech. Gjiganti çek, në moshën 37-vjeçare, i “var dorezat në gozhdë”. Dhe e bëri këtë me një humbje të dhimbshme, që koinçidoi me ballafaqimin mes dy ekipeve të tij të zemrës, Chelsea dhe Arsenal.

Çeku ka 15 sezone, që është një nga portierët e spikatur në futbollin anglez. Një klasik i garave ndërkombëtare, një nga emrat e paharruar, kur të kërkohet të thirresh në kujtesë portierët më të mirë. Cech i tha lamtumirë futbollit të luajtur, duke lënë pas një karrierë mbresëlënëse, falë cilësive të mëdha. Ndoshta nuk do ta dëshironte një fund të tillë, duke pësuar 4 gola në një finale të rëndësishme, por nuk mund të bënte thuajse asgjë në to, raporton “Telesport”.

Ai e bëri punën e tij, por pjesa tjetër nuk e shoqëroi. Dhe titulli u “zhduk”, kaloi te blutë e Londrës. Në fakt, portieri e fitoi Ligën e Evropës në vitin 2013, pikërisht me Chelsea, sikurse Ligën e Kampionëve një vit më parë, me të njëjtin ekip. Nuk harrohen titujt e kampionit në Premier Ligë, as pjesëmarrjet në katër Kampionate Evropiane. Lotët e shënjuan fytyrën e gjigantit çek, sepse Cech, siç ka treguar gjithmonë, përveçse portier i madh, është një profesionist i patëmetë.

Dhe humbja gjithmonë dhemb, kur e përjeton me pasion të madh punën tënde. Tani do të jetë radha e tij për t’u kthyer në “Stamford Bridge”, ku e pret pozicioni i drejtorit sportiv. Pa u kursyer, me të njëjtin profesionalizëm, si gjithmonë.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rreth orës 00:40 të datës 30 prill 2019, Policia në…