Lansohet programi ‘Sport në Shkolla’, Kurti: Të ndërtohet një shoqëri e shëndetshme

26 janar 2024 | 14:45

Programi “Sport në Shkolla” është lansuar në Komunën e Podujevës. Federata e Sportit Shkollor të Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e lansuan programin që ka për qëllim shtimin e numrit të aktiviteteve sportive nëpër të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të Kosovës si dhe përmirësimin e infrastrukturës sportive në vend.

Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishte edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti. Shefi i ekzekutivit ka thënë se synohet krijimi i një shoqërie e shëndetshme.

“Jemi mbledhur këtu së bashku për të shënuar fillimin e programit ‘Sport në Shkolla’, nismë kjo e cila synon fuqizimin e nxënësve dhe të rinjve tanë përmes ndërlidhjes së arsimit me sportin dhe të sportit me shëndetin. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe federatat sportive kanë hartuar programin ‘Sport në Shkolla’ i cili ka për qëllim ndërtimin e një shoqërie aktive dhe të shëndetshme nëpërmjet pjesëmarrjes së rregullt me aktivitete fizik dhe sportiv. Mirëqenia e të rinjve është kryefjala e këtij programi”, ka thënë Kurti.

“Programi është hartuar në kornizë kohore prej gjashte vitesh dhe i përfshinë pesë kompenentë. Zhvillimi i aktivitetit të rregullt sportiv dhe fizik në shkollë, organizimin e garave sportive në shkolla, ngritjen e kapaciteteve të mësimdhënësve për organizimin e aktivitetit sportiv, furnizimin e shkollave me pajisje sportive dhe përmirësimin e infrastrukturës sportive shkollore”, ka shtuar Kurti.

Ndërsa nën anën tjetër kryetari i Podujevës, Shpëtim Bulliqi, ka thënë se ky program gjithashtu i ndihmon nxënësit të zhvillojnë aftësitë e tyre sociale. “Aspekti fizik dhe vitaliteti i nxënësve është tejet i rëndësishëm për shëndetin fizik dhe psiqik të tyre. Aktivitete sportive jo vetëm që i ndihmojnë ata që ta ruajnë një trup të shëndetshëm, por gjithashtu i ndihmon nxënësit të zhvillojnë aftësitë e tyre sociale. Angazhimi i të rinjve në sport është i rëndësishëm për të ardhmen e tyre”, ka thënë Bulliqi.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasadori në largim i Britanisë së Madhe, Nicholas Abbott është…