LAPIDAR PËRJETËSIE PËR NEZIR ZASELLËN

12 gusht 2020 | 16:08

(Sot, në Shtëpinë e Librit, pra në ambientet e shtypshkronjës Lena Grapfic, të Hajdar Fejzullahut, në Prishtinë, në praninë e pasardhësve të Heroi Nezir Zasella dhe të dashamirëve të librit, u bë një përurim i veçantë i monografisë së sapo dalë nga shtypi “NEZIR ZASELLA- LUFTËTAR E ATDHETAR I PËRBETUAR”, e autorit Avdyl UKA.)

Bedri TAHIRI

Populli ynë i stërlashtë, denbabaden, jetoi në trojet e veta. Kurrë askujt nuk i ra nё  qafё, por gjithmonë qe  i trazuar nga tё tjerët. Dhe, duke i rënë hise të jetojë në mesin e armiqve të pabesë e grabitqarë, përherë i mungoi liria e plotë, të cilën e çmoi shumë dhe e pagoi shtrenjtë, me gjak e me kokë.

Nisur nga kjo, mbrojtja e nderit familjar dhe e pragut të shtëpisë u bë kult adhurimi, duke marrë përmasa mitologjike. Cenimi i tyre do të thoshte vdekje. Mbase, edhe më shumë se vdekje. Po, po, vdekje e shkuar vdekjes! Kështu sikur na e la amanet të parët tanë

Kështu e kishte kuptuar edhe familja Uka e Vushtrrisë, qё vite mё parё kishte zbritur nga shkrepat e Zasellёs (Kodrёs) sё Shalёs, andaj, mu në kohën kur gjarpri i zi lëshonte helm mbytës mbi Kosovën martire, biri i saj, Avdyl Uka, qiti pushkë burrërore dhe zbardhi fytyrën e shqiptarisë.

Ishte natë e errët e 22 qershorit 1991, kur qytezёn e Vicianёs sё lashtё e pati trazuar njё ngjarje e pazakontё dhe gati e pabesueshme pёr atё kohё, e cila paskёtaj u bё frymёzuese dhe u dha zemёr tё gjithё atyre qё frymonin shqip. Pёr tё u fol shumё, ashtu disi tinëz, por me plot admirim, u komentua edhe nё gazeta e në media të ndryshme, mirёpo tё vёrtetёn mё sё miri e dinte ai qё e kishte kryer aktin heroik, Avdyl Uka, i cili tashmё jetonte e vepronte nё mërgim. Kёshtu, pas disa vitesh ai, ashtu natyrshёm, tё gjitha ato i vuri nё letёr. Dhe, atё dorёshkrim e pranova me kёnaqёsi, sepse aty e mёsova më mirë e më saktë ngjarjen qё i hapi shtigje ditёs sё bardhё qё sot po e gёzojmё.

Po nga kush u frymëzua djaloshi syptermbur, Avdyl Uka për një vepër të  kaq madhore kombëtare?

Dihet, nga të parët e tij, nga trimi që një jetë të ter ia kushtoi kombit e atdheut, nga i pavdekshmi Nezir Rrahman Zasella!

Dhe, trimi trimit ia beson. Kështu, edhe pse nuk është historian e as gjuhëtar, por nga vullneti për ta ndriçuar një histori që po venitej nën pluhurin e harresës, iu rrek një pune me plot përkushtim, grumbullimit të materialit gojor për këtë trim shaljan, që nderoi gjithë kombin, dhe ia doli mban të hartoi një biografi të shkëlqyer me titull përmbajtjesor “NEZIR ZASELLA- LUFTËTAR E ATDHETAR I PËRBETUAR”.

Meqë pata rastin ta kem në dorë si dorëshkrim dhe të kryej punën e redaktorit e të lektorit, duke e lexuar e rilexuar, me laps në dorë, siç i thonë një fjale, e pashë se kishim të bëjmë me një shkrim të dalë nga zemra e një atdhetari për një atdhetar, që shpeshherë edhe ngarkohej nga emocionet e shfrenuara, nga frika se mos po i mbetej borxh, andaj vlerësimi im qe pozitiv dhe e tumira për botim.

Libri “NEZIR ZASELLA-LUFTËTAR E ATDHETAR I PËRBETUAR” është një monografi për njeriun e madh që bëri emër në Shalë e në të gjitha trojet shqiptare. Figura e trimit Nezir Zasella është mëtuar të pasqyrohet në mënyrë shumëdimesionale, si nga ana luftarake e atdhetare, ashtu edhe nga ana shpirtërore e njerëzore.

Autori i palodhur, nuk ka pasur mundësi të shfrytëzoi dokumente arkivore të shkruara (ngase edhe ato që kanë ekzistuar i dogji serbi), por e ka shfrytëzuar në maksimum arkivin më besnik të historisë sonë, arkivin POPULL. Kështu, duke mbledhur si bleta nektarin lule me lule, ai, ka arritur të sublimoi një mal faktesh: kujtime, rikujtime, rrëfime, opinione, biseda, vargje nga të afërm e familjarë të protagonistit, nga personalitete që flasin me kompetencë për ato ngjarje, duke i grumbulluar e sistemuar në një libër, që do të mbetet lapidar i bukur përjetësie.

Shqetësimi i autorit është me vend: Si ka mbetur deri në këtë kohë një burrë atdhetar si Nezir Zasella jashtë faqeve të historisë sonë?! Kjo, mbase edhe qe arsyeja kryesore që Avdyl Uka mori përsipër një barrë kaq të rëndë e me përgjegjësi, për ta sfiduar veten, të cilën, me ndihmën edhe të bashkëpunëtorëve e dashamirëve, e realizoi me sukses. Se ka prirje për të shkruar e ka dëshmuar edhe më parë, duke na dhuruar disa libra me vlerë…

Materiali i përfshirë në librin “NEZIR ZASELLA-LUFTËTAR E ATDHETAR I PËRBETUAR”, për të qenë më i kapshëm për lexuesin kureshtar, është sistemuar e konceptuar në katër kapituj:

  1. JETA DHE VEPRIMTARIA E NEZIR ZASELLËS (1885-1945),
  2. PORTRETE LUFTËTARËSH,
  3. MENDIME, OPINIONE DHE VLERSIME PËR NEZIR ZASELLËN dhe
  4. TRIMI DHE KËNGA

Bërthamën e librit e përbën kapitulli i parë. Aty, në mënyrë kronologjike, tamam si në monografitë klasike, jepet historia e jetës dhe veprimtarisë luftarake e atdhetare e Nezir Zasellës. Ai nis me vendlindjen e trimit, Zasellën, me gjenealogjinë  e familjes së tij, me fëmijërinë përplot peripeci, me fillimet e tij luftarake kundër turqve të rinj, duke i ndjekur deri në Shkup, me betejat e njëpasnjëshme kundër pushtuesit serb: në Vllahi, në Majdan, për të kulmuar në rrethimin e tij në Kullë, në Zasellë, më  4 tetor të vitit 1920, ku u përdorën edhe topat, por strategu luftarak doli fitimtar.

Trimëria, burrëria dhe mençuria e tij morën përmasa kombëtare. Ai bashkëpunoi me burrat më të mëdhenj të kombit, me Isa Boletinin, me Azem Galicën, me Mehmet Konjuhin, me Xhemë Tërnafcin, me Tafil Boletinin, me Rifat Bajskën, me Bel Bajqinofcin, me Dan Dorocin, me Shaban Polluzhën, me Bislim Bajgorën, me një fjalë me të gjithë ata që armikun e shikonin përmes grykëhollës. Vajti edhe deri në Shkodër, duke u lidhur me Komitetin “Mbrojta Kombëtare e Kosovës” që e udhëhiqte Hoxhë Kadri Prishtina.

Mjaft interesant na del edhe jeta e Nezir Zasellës në Shqipëri, ku jetoi dhe veproi plot 14 vjet. Mirëpo, edhe më i vlefshëm bëhet kthimi i tij në vendlindje, ku edhe mbyll sytë përgjithmonë, pikërisht aty ku i flinte zemra, në themelet e kullës në vendlindje.

Portretin e trimit Nezir Zasella, për mrekulli e plotësojnë edhe bashkëluftëtarët dhe pasardhësit që e ndoqën rrugën e tij, të cilët janë vendosur në kapitullin e dytë Portrete luftëtarësh.

Autori i zellshëm, Avdyl Uka, edhe vetë e pohon se në hartimin e këtij libri monografik i kanë ndihmuar shumë edhe të tjerët. Kjo dëshmohet në kapitullin e tretë, ku, secili në mënyrën e vet: nipa, kushërinj, pinjollë të bashkëluftëtarëve të tij, historianë, profesorë, publicistë e opinionistë nga Kosova e nga Shqipëria, me pietet të lartë e përkujtojnë Nezir Zasellën, duke e plotësuar personalitetin dhe profilin e tij prej luftëtari e atdhetari të devotshëm.

Dhe, si zakonisht, nuk mungojnë as vargjet e këngët për trimin, ato që shpeshherë, më mirë se vetë historia, i kanë përjetësuar të bëmat e trimave tanë, të cilat janë vënë në kapitullin e fundit të monografisë “NEZIR ZASELLA-LUFTËTAR E ATDHETAR I PËRBETUAR”.

Përveç pjesës shkrimore, libri është ilustruar edhe me foto të ndryshme, të cilat flasin shumë, me Mirënjohje të shumta si dhe me Dekoratën e Republikës së Shqipërisë për kryepersonazhin Nezir Zasella!

Dhe, fare në fund, nuk na mbetet tjetër, përveçse ta falënderojmë autorin për një punë kaq të vyer dhe t’i dëshirojmë suksese të reja në fushën e krijimtarisë e librit mirëpritje nga lexuesit dhe bibliotekat tona!

Galicë, qershor 2020

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka shprehur skepticizëm…