Largime edhe nga Akademia e Policisë – Rrëfehet i riu që dha dorëheqje nga ëndrra për t’u bërë polic

15 shtator 2022 | 19:32

‘Genc Murati’ e kishte ëndërr shërbimin në Policinë e Kosovës. Ëndrra e tij u plotësua pak muaj më parë, duke u pranuar në konkursin për t’u bërë polic. Megjithatë, me kalimin e kohës, dashuria për unfirormën e Policisë u venit.

Genc Murati (Nacionale ka vendosur ta quajë me një emër të ndryshëm, pasi personi në fjalë nuk ka dashur të identifikohet), ka rrëfyer për gazetën Nacionale gjithë eksperiencën e tij, deri në dërëheqje nga Akademia e Kosovës për Siguri Publike.

Genc Murati rrëfen se kushtet në Akademi nuk janë ideale, por që problemi kryesor sipas tij janë parregullsitë në avancime.

Rrëfimi i Genc Muratit

“Gjithmonë kam dashur të bëhem ushtarë ose polic” fillon rrëfimin e tij Genci.

“Më ka pëlqyer uniforma, më është dukur ideal i lartë t’i shërbej vendit. Në shkollë kam qenë shumë i mirë, madje kam përfunduar edhe fakultetin, e studimet nuk mendoj me i ndalë, ama gjithmonë kam pasë një lidhje me uniformën.”, thotë me tutje ai.

Genc Murati ka rrëfyer për procedurat e testimit, të cilat i kaloi me sukses.

“Jo. Në fakt testi me shkrim ka qenë shumë i lehtë. Ndërsa për testin fizik, nuk e di çfarë të them. Nëse përgatitesh nuk është shumë i vështirë. Ndoshta varet nga njeriu. Unë jam përgatitë më shumë se 2 muaj, ekstra për test e kam fjalën. Sepse fizikisht edhe ashtu qëndroj mirë. I kam kaluar pa problem të dy testet”, deklaroi më tutje Genc Murati.

Megjithatë, dëshpërimi për personin që rrëfeu për Nacionalen largimin e tij nga Policia, erdhi pasi nisi aktivitetin në Akademi.

“Akomodimi aty ishte i çuditshëm. Ndoshta unë isha tepër entuziast, por e prisja një fytyrë krejt tjetër. Qysh në ditët e para e pashë një gjendje kaotike në organizim e në kushte

“Në dhomë të fusin, me 10 a 12 persona. Për mua kjo ishte e papranueshme. 12 persona në një dhomë, ishte e padurueshme. Për të mos mjaftuar kjo, tualetet ishin shkret. Tepër të papastra, më dukej vetja, se nuk jam me një institucion, por në një shtëpi të prishur”, shprehet më tutje Genci.

Megjithatë, goditjen e fundit këtij personi ia dhanë parregullësitë në sistemin e Policisë.

“Mënyra e avancimit në karrierë brenda policisë, kuptova se është krejt e çrregullt. Kishte polic që punon që 10 vite në institucion, kishtë bër shkollimin e kishte provuar të avancohej, por kot. Avancimi në polici me sa kam kuptuar nuk varet nga zotësia dhe ambicjet e tua, ose shkollimi që ti kryen. Është tepër e vështirë, të pranosh punën në një institucion që nuk të lejon të bësh karierë”, deklaroi më tutje ky person për Nacionalen.

“Po. Jam dëshpruar shumë, mund të them se ëndrra për ta veshur uniformën e policisë më është shuar në mënyrën më të keqe të mundshme. Realiteti mu përplas fytyrës! Tash mendoj t’a vazhdoj shkollimin, në profesionin tim” përfundon rrëfimin e tij Genci.

Sa policë të rinjë e braktisën uniformën?

Gazeta Nacionale, ka pyetur institucionin e Akademisë Policore në Vushtrri, se sa është numri i kandidatëve të pranuar, e që më pas e kanë lën trajnimin professional, si dhe cilat kanë qenë aryset, për të cilat të njejtit janë larguar.

Në një përgjigjje me email, nga Akademia e Kosovës për Siguri Publike na është thënë se numri i kandidatëve të cilët kanë dhënë dorëheqje është 8.

“Numri i gjeneratës së 57 të kadetëve të Policisë së Kosovës të cilët kanë filluar trajnimin profesional “Zyrtar Policor” në Akademinë e Kosovës për Sigurinë Publike ka qenë 447, ndërsa tani kjo gjeneratë numëron 439 kadetë të cilët janë duke e vijuar trajnimin. Dorëheqje kanë dhënë tetë kadetë. Shtatë prej tyre arsyen e dorëheqjes e kanë dhënë personale, ndërsa një kadet dorëheqje ka dhënë me arsyen shkollim jashtë vendi.” thuhet në përgjigjjen e tyre

Kujtojmë se testi me shkrim për kandidatët, ishte mbajtur nga datat 21 shkurt të këtij viti deri me datën 28 shkurt.

Kurse ai i shkathtësive fizike ishte mbajtur nga data 28 shkurt deri më 30 mars të 2022-ës, pikërisht në Akademinë për Siguri Publike në Vushtri.

Alarmi për braktisjen e Policisë së Kosovës ishte ngritur disa herë. Shumica e policëve sipas raporteve zyrtare, largohen jashtë vendit, por nuk përjashtohen as pakënaqësitë e tjera.

Sqarim: Emri i të intervistuarit tonë, nuk është emri i tij i vërtetë, meqenëse folësi, ka pranuar të flasë, vëtëm me kushtin e anonimitetit./Nacionale/.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Salih Mustafa nuk e ka shfrytëzuar të drejtën e tij…