Larot e retorikës

01 dhjetor 18:45

Sot në Kosovë ka dekanë fakultetesh, rektorë universitetesh, “autorë veprash”, ministra, zëvendësministra, deputetë, analistë (të vetëquajtur), akademikë, intelektualë etj. që nuk dinë as të flasin, as të shkruajnë drejt në gjuhën amtare, në gjuhën standarde shqipe, mosnjohja e së cilës, për postet e sipërthëna, është deficit e komprometim i madh arsimor, retorik, linguistik, akademik, intelektual etj.

Hasan Mujaj

Do vënë në dukje se në dhjetëvjetëshin e parë të shek. XXI, por pjesërisht edhe më pas, atëherë kur, si rrjedhojë e mosfunksionimit ligjor të institucioneve kompetente, në disa universitete private dhe në disa veprimtari të tjera, mugulluan shpërdorime të mëdha. Kështu, në këto institucione sikur ndryshoi destinimi i arsimit të lartë nga burim dijeje e edukimi, në biznes me përfitim të lartë financiar.

Në disa universitete private të Kosovës, të Shqipërisë e të Maqedonisë u bë e po bëhet degradimi i arsimit të lartë, depërtimi i pseudoshkencës, stagnimi i dijes së mirëfilltë, rënia e cilësisë së studimeve dhe e fjalës artistike nga krijuesit kiçë, nga rrënues të vlerave, nga ata që Faik Konica me të drejtë i quante “laro të penës”.

Termi “laro”, i përdorur edhe nga Fan Noli në vjershën elegjike për Luigj Gurakuqin në kuptimin e veprimtarisë kriminale, nënkupton “njeriun që i shërben tjetrit për të përfituar diçka prej tij, që e shet veten për një kockë, zuzar; kur njëri do të rrëmbejë çdo gjë për vete… etj”. (Fjalori i gjuhës shqipe).

Mund të thuhet se sot ka edhe laro të retorikës. Njerëz që shkruajnë e flasin sipas diktatit për ndonjë përfitim. Ata, me gjithë mungesën e përgatitjes së duhur arsimore, sociokulturore, retorike etj., kanë pretendime të mëdha për poste të larta pushteti; ata jo vetëm që janë shtrembërues të retorikës pozitive e korrekte të shkruar e të folur, përjashtues të vlerave të qëndrueshme, por njëkohësisht shërbejnë si vegla të ekzekutimit të vendimeve të mentorëve të tyre, të cilëve u shërbejnë me devotshmëri, në rastin e vrojtimit tonë, edhe të krimeve intelektuale, arsimore, shkencore, etike, akademike etj.

Laro të retorikës janë edhe ata që, në fjalimet publike, bëjnë premtime hiperbolistike për zhvillime të reja me të cilat, siç thonë, do të ngrihet standardi i jetës së qytetarëve, do të shtohet punësimi etj. dhe në fund të gjitha dalin shterpë, ngjashëm me thënien metaforike: “do të ndërtojmë urë dhe aty ku nuk ka lumë!” Pra, në thelb qëllimi i fjalimit është përfitimi politik i liderit, i lidershipit dhe i klubit politik të cilit i përkasin larot. Kështu, me zuzëri, larot kanë depërtuar në Qeveri, në Parlament, në universitete etj. Ka laro të vegjël, të cilët, për t’i ruajtur privilegjet e pushtetit, i mbrojnë larot e mëdhenj nga kritikat e themelta që u bëhen për bëmat kardinale korruptive për lemeri zuzarësh për statusin e veteranit të luftës. Për t’i ikur ndjekjes penale të mashtrimit, larot reagojnë me pompozitet me protesta e kërcënime madje me kanun ndaj prokurorëve që i ndjekin falsifikimet dhe vetëshpallen si apologë të vlerave të luftës!

Vlerat e luftës janë të shenjta, por ato vlera, përherë të ndritura, mbrohen e kultivohen duke e thënë të vërtetën dhe jo duke e mashtruar shtetin.            

Mungesa e edukimit etik

Larot edhe dje, edhe sot, me anë korrupsioni e favoresh të ndryshme, pra shpërdorimisht, blejnë edhe grada të larta shkencore, marrin titullin doktor shkence me disertacion doktorate të kopjuar – plagjiaturë, shënohen si autorë veprash e punimesh që i shkruajnë të tjerët me pagesë në emër të tyre; larot avancohen pa meritë në gradat akademike, zgjidhen profesorë universitetesh me punime plagjiaturë me vlerësimin e “recensentëve”nergut të porositur pa përmbushur asnjë kriter as ligjor, as akademik madje vihen edhe në poste të larta drejtuese të shtetit! Andaj, nuk është befasi që sot në Kosovë ka dekanë fakultetesh, rektorë universitetesh, “autorë veprash, ministra, zëvendësministra, deputetë, analistë (të vetëquajtur), akademikë etj. që nuk dinë as të flasin, as të shkruajnë drejt në gjuhën amtare, në gjuhën standarde shqipe! Ky është degradim i madh retorik, linguistik, akademik etj.

Këso deformimesh ndodhin nga mungesa e edukimit etik, didaktik, kulturor, shkencor etj. Sepse, ai që ka formim të mirëfilltë etik e shkencor, nuk do të lejojë veten të bjerë në shkallë qesëndie, kusarie e falsifikimi që të avancohet e të ngrihet me veprimtarinë e të tjerëve. Edukimi etik duhet të zhvillohet në secilin nivel të arsimit dhe në çdo fushë të veprimtarisë; ai duhet të jetë ligjërim e mësim i përhershëm madje edhe pas shkollimit të rregullt. Ai duhet të thellohet e të ngrihet posaçërisht (ndër të tjera) edhe në dy nga fushat parësore që paraqesin themelin e formimit kulturor, etik, estetik etj.: 1. në terrenin e zotërimit të gjuhës standarde dhe 2. në fushën e artit të letërsisë.

Nga kjo pikëpamje është shumë domethënës citati i filozofit të shquar italian Benedeto Kroçe: “Quaj njeri atë që është zot i gjuhës amtare”.

Sipas porosisë së këtij citati, del e nënkuptueshme dilema se a mund të quhet njeri i formuar nga arsimi, edukimi, kultura etj. ai që nuk e zotëron gjuhën amtare? Jo. Assesi.

Nelson Mandela vlerësoi lart rolin e edukimit për formimin e personalitetit; ai shkroi: “Edukimi është arma më e fortë që ju mund ta keni për ta ndryshuar botën”.

Nga përmbajtja e këtij citati mund të kuptohet se ish-kryetari i Afrikës së Jugut N. Mandela, luftëtar i shquar kundër racizmit, me të drejtë edukimin e kishte parë si mjetin më të fuqishëm për zhvillime të reja progresive përmasash globale.

Është brengosës fakti që askush nuk merret me dënimin dhe mënjanimin e dukurisë së shpërdorimeve shkencore për ngritjen akademike fals. Nga retorika antike ishte kriter i pakapërcyeshëm që oratori të ketë tipare të larta etike sepse në këtë mënyrë do të paraprihej nga kultura morale për të zgjedhur stilin e komunikimit pragmatik, etik dhe sociokulturor.

Po qe se mungon kriteri etik siç po ndodh shpesh, nëse nuk ka përgjegjësi masash ligjore për veprimtari të dënueshme edhe në fushën akademike siç po ngjet shpesh, atëherë nuk është habi se edhe në këtë nivel studimesh po merren tituj shkencorë të “doktorataveplagjiaturë, po merren tituj shkencorë të blerë. Së këndejmi, del e kuptueshme se “doktorët e këtillë të shkencave” nuk kanë stil të ngritur të komunikimit as gojor, as shkrimor; stili i fjalimit e i shkrimit të tyre është në shkallën më të ulët të ndërtimit të tekstit jo vetëm nga etika, porse edhe nga estetika, stilistika, sociologjia e kulturës, gjuha standarde dhe shkenca të tjera. Komunikimi i gjorë i stilit steril është vërtetim i doktoratës kiç!

Oratorët – autorët, në paraqitjet e tyre publike, duhet të gjurmojnë për ta gjetur fjalën, semantika e së cilës i përgjigjet së vërtetës. Në shumë raste nuk veprohet kështu, prandaj krijohet shpërpjesëtimi kuptimor midis së thënës (artificiale) dhe reales. Ja një ilustrim që u shkrua dhe u tha në medie: një orator-autor metaforat “rrugaç”, “hajn etj., që ia drejtoi një prokurori të prokurorisë speciale jo vetëm që nuk e shprehin realitetin sepse prokurori ka një status të lartë social dhe një formim të verifikuar profesional, veçse (metaforat e nivelit të analfabetëve) dëshmojnë deficitin e madh arsimor, kulturor, etik etj. të oratorit. Kështu shprehen vetëm ata që nuk kanë forcë shprehjeje as pasuri leksikore.

Forca e shprehjes ekziston në poliseminë gjuhësore, në krijimtarinë letrare, në frazeologjinë popullore; ajo duhet të kërkohet në gjerësinë e gjuhës, në visarin leksikor të saj, në teorinë e letërsisë dhe të ndërtohet me mjetet e tyre; ajo duhet të vihet në funksion të elokucionit, të persuasionit dhe të standardeve të tjera të retorikës. Por, ç’të bëjë ai që s’ka forcë formimi të shprehjes, të stilizimit? Sigurisht se ai nuk di ta ndërtojë stilin e komunikimit kulturor, prandaj (ai) ka dy mundësi: 1. të mos ekspozohet publikisht në medie për të demonstruar varfërinë e shprehjes, dmth. të heshtë dhe 2. detyrohet t’u referohet fjalëve të stërkonsumuara që secili i gjen në rrugë që nga fëmijëria. Më mirë do të ishte ta ndiqte mundësinë e parë sesa të bëhet objekt talljeje e humori.           

Mungesa e retorikës realiste                

Fjalimi publik duhet të zhvillohet në përputhje me faktorët më të rëndësishëm të jetës dhe të veprimtarisë si p. sh. aktualiteti, zhvillimi ekonomik, arsimi dhe kultura, shëndetësia, kërkesat e qytetarëve etj. Që nga Aristoteli është vënë në dukje faktori i edukimit të të rinjve përmes arsimit të fortë. Sot sikur nuk i kushtohet vëmendje e duhur këtij faktori. Arsimi i dobët shpie në mosfunksionimin juridik të shtetit në çdo fushë të veprimtarisë, andaj edhe në fushën e kërkimit tonë, d.m.th. në fushën e retorikës dhe të komunikimit. Kjo dobësi e madhe, si rrjedhojë e arsimit pa cilësi e pa kritere, vihet re përditë edhe në komunikimin e fjalimin publik. Kështu, vetëm fjalimi i sintetizuar mbi bazën pragmatike, i strukturuar mbi themelin e retorikës konstruktive, i shprehur me mjetet ekspresive të stilistikës dhe korrekt nga gjuha standarde, do të zgjojë kërshërinë e auditorit dhe besimin e kuptimit për t’i yshtur dëgjuesit se përmbajtja e fjalimit nuk është artificiale, nuk është premtim mashtrimi, porse vërtetësi e zbatueshme për ngritje të reja. Për këtë arsye në fjalimet publike duhet të kultivohet retorika realiste, e bashkëpunimit dhe e perspektivës dhe jo retorikë nacionaliste e romantike, e mashtrimit dhe e parodisë. Por, në praktikën e oratorisë jo vetëm në Kosovë, porse edhe në rajon, vështirë, shumë vështirë e rrallë rastis të dëgjohen ose të lexohen fjalime publike, sidomos politike, të cilat mund të shquhen nga përbërësit e sipërthënë, dmth. të identifikohen nga vlera ndërtimore dhe përmbajtjesore. Kjo ngjet nga fakti se dy përbërësit kryesorë: ndërtimi dhe kuptimi i tekstit të fjalimit nuk kanë themel pararendës përgatitor as teorik, as praktik dhe, ç’është për çdo kritikë, asnjë nga institucionet kompetente nuk e ngre çështjen e ndërtimit të themelit të diturive të retorikës tok me shkenca të tjera të përafërta. Dhe, nuk mund të priten përmirësime në këtë pikëpamje përderisa në organet drejtuese të institucioneve përkatëse gjenden e vihen njerëz me deficit të madh të kulturës së komunikimit, fjalimet e gjora të të cilëve po dëgjohen e po lexohen përditë në medie të ndryshme. Stili i fjalimeve publike të oratorëve të lartë të shtetit në Kosovë është aq i varfër, aq i thatë, aq dialektor, saqë mund të dëgjohet ditëve të tregut në shitblerje e sipër.

Ai është dëshmi e mungesës së shkollimit. Zyrtarët e këtillë nuk janë për foltore. Pasi është kështu, si të papërgatitur që janë nga kjo pikëpamje, ata nuk kanë hyrë në politikë për të sjellë kthesa pozitive zhvillimi, porse kanë hyrë për përfitime të nduarnduarta.

Ish- kryetari i Shqipërisë Alfred Moisiu, në një shkrim, me të drejtë vuri re se është krijuar bindja se për të siguruar një vend pune dhe për t’u pasuruar, duhet të futesh në politikë! Nga kjo mund të nënkuptohet se në veprimtarinë politike nuk duhet ndonjë përgatitje, se aty mund të futet secili që ka mbështetjen miqësore e lidhje të ndryshme favorizuese pa marrë parasysh dhuntinë, shkollimin, prirjen, formimin retorik etj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Manchester City e ka mposhtur Bournemouth (3-1), në ndeshjen e…