Latifi: Eprori i TMK-së Skënder Gashi do të mbahet mend për punët e mëdha

18 shtator 2020 | 14:06

Në Landovicë të Rahovecit, është përkujtuar luftëtari i UÇK-së, Skënder Gashi, në 20-vjetorin e ndarjes nga jeta.

“Sot në Landovicë, me bashkëluftëtarë e familjarë përkujtuam komandantin dhe dëshmorin e lirisë Skënder Gashin, në 20-vjetorin e ndarjes të padrejtë nga jeta dhe detyrat e tij në shërbim të lirisë e të forcimit të paqes që ne shqiptarët e këtij nënqielli ishim flijuar ndër breza”, ka thënë kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.
Ai ka thënë se Skënder Gashi ishte ndër ushtarët e parë të lirisë, i cili la rehatinë dhe mirëqenien në Austri dhe u bashkua në radhët e çlirimtarëve në UÇK. “Jeta dhe vepra e tij është e mbushur me atdhedashuri dhe në çdo hap e veprim ai e dëshmoi. Pjesëmarrës në shumë beteja të UÇK-së prej nga doli faqebardhë e i pathyer. Udhëhoqi me përgjegjësi njësitin që i ishte besuar, duke mos ju bishtëruar kurrë detyrave luftarake. Si komandant i logjistikës në njësinë e TMK-së në Sallagrazhdë dëshmoi aftësi e kompetencë ushtarake. Skënder Gashi u vra pabesisht nga një dorë tinëzare më 18 shtator 2000, duke lënë në kujtesë një mori veprash luftarake e organizative”, është shprehur

Latifi, duke theksuar se as 20 vjet pas nuk u zbardh vrasja e tij. “Fatkeqësisht, drejtësia ende nuk e tha fjalën e vet. Eprori i TMK-së Skënder Gashi do të mbahet mend për punët e mëdha e fjalët e pakta, për vendosmërinë e devocionin në kryerjen e detyrave ushtarake, për ndershmërinë e besnikërinë e dëshmuar. Gjithçka në jetën e tij ishte veprim për atdheun, për lirinë dhe të drejtat e popullit të tij, duke u bërë shëmbëlltyrë”, ka thënë kryetari Latifi.

(Q.R / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Filmi “Contagion mund të jetë publikuar një dekadë më parë,…