
Lazio mposhti Interin dhe merr vendin e dytë
Lazio ka arritur të marrë një fitore të madhe ndaj Interit në “Olimpico”. Skuadra e drejtuar nga Inzaghi ka fituar 2-1 me përmbysje dhe kështu ka marrë vendin e dytë.
Interi kaloi në avantazh një minutë para fundit të kohës së rregullt të pjesës së parë, me Young. Ai me një goditje precize brenda zonës, nuk i la asnjë hapësirë Strakoshës të reagonte.
Në fillimin e pjesës së dytë, Lazio fitoi penallti. Përsipër për ta goditur e mori i zakonshmi, Imobile, që nuk fali dhe barazoi shifrat.
Ndërkaq në minutën e 70-të, me një lëvizje të bukur brenda zone dhe një goditje të saktë, Milinkoviç Saviç përmbysi gjithçka dhe i dha tre pikët ekipi të tij.
Lazio tashmë shkon në kuotën e 56 pikëve në vendin e dytë, teksa ka një pikë më pak se Juve dhe dy më shumë se Interi. Kjo ndeshje tregon qartazi se Lazio është në garë për titullin kampion.