LDK dhe AAK nuk kandidojnë askënd në zgjedhjet në Veri

03 dhjetor 2022 | 21:12

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të katër komunave me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan – do të mbahen më 18 dhjetor.

Kryetarët e këtyre komunave kanë dhënë dorëheqje në fillim të nëntorit, duke kundërshtuar një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave në veri, që bartin targa të paligjshme serbe. Të katërtit kanë ardhur nga Lista Serbe – subjekti më i madh politik i serbëve në Kosovë.

Në zgjedhjet e 18 dhjetorit do të merr pjesë Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Në këto zgjedhje për kryetar të komunave, Lëvizja Vetëvendosjes merr pjesë me këta kandidatë: Lulzim Hetemi për Leposaviq, Flatron Hasani për Zubin Potok, Fetah Peci për Zveçan dhe Erden Atiq dhe Mitrovicë të Veriut.

Ndërsa kandidatët e certifikuar të PDK-së janë Albulena Behluli-Hetemi për Leposaviq, Izmir Zeqiri për Zubin Potok, Ilir Peci për Zveçan dhe Taulant Kelmendi për Mitrovicë e veriut.

Në këto zgjedhje nuk do të marrin pjesë Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili tha për Gazetën Sinjali se AAK-ja nuk merr pjesë në zgjedhje me arsyetimin sepse “është vendim i nxituar dhe i rrezikshëm”.

“AAK nuk merr pjesë në këto zgjedhje sepse vlerësojmë se vendimi për zhvillimin e zgjedhjeve në veri të vendit, në këtë situatë është i nxituar dhe i rrezikshëm”, tha Xhemaili.

Kandidatë për kryetar të komunave nuk ka as Lidhja Demokratike e Kosovës megjithsë ditë më parë në një deklaratë për Sinjalin e shprehën të kundërtën.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri tha se “ne jemi të gatshëm me strukturat tona të Mitrovicës si degë e cila mbulon komunat Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, Në momentin e parë që do t’i mbyllim diskutimet e brendshme, ju lajmërojmë”.

Ndryshe, të dielën e 6 nëntorit, pas përfundimit të protestës të organizuar nga Lista Serbe në sheshin “Car Lazar” të Mitrovicës Veriore, policët serbë dorëzuan dorëheqjet e tyre në stacionin policor në veri, duke thënë se këtë largim e kanë bërë për arsye “personale e morale”.

Pas dorëzimit të dorëheqjeve, një numër i zyrtarëve policorë serbë të punësuar në Policinë e Kosovës, tashmë kanë dorëzuar edhe armët në nënstacionin policor të Zveçanit.

Ndryshe, të shtunën e 5 nëntorit, përfaqësuesit e Listës Serbe, në takimin me përfaqësuesit serbë të institucioneve të Kosovës, kanë vendosur për bojkotimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.

Një njoftim i tillë erdhi pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili kishte refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Bullgarisë ka kritikuar vendimin e Holandës për të…