LDK-ja do të fitojë numrin më të madh të komunave

21 shtator 2021 | 13:06

Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Haki Demolli, ka thënë se falë punës, aktivitetit dhe përgatitjeve të strukturave, LDK-ja do të dalë bindshëm partia e parë në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ai ka thënë se LDK-ja do të fitojë numrin më të madh të komunave në këto zgjedhje.

Demolli ka kritikuar Qeverinë Kurti për menaxhimin me pandeminë.

Ai ka theksuar se kjo qeveri ende nuk ia ka dalë që ta blejë asnjë vaksinë të vetme anti-Covid.

Në lidhje me gjendjen me pandeminë, numrin e madh të vdekjeve dhe të infektuarve, Demolli ka thënë se Kurti dhe Vitia është dashur t’i ofronin dorëheqje Kuvendit të Kosovës.

Muhamet KOCI

“Epoka e re”: Z. Demolli, Lëvizja Vetëvendosje ka kritikuar shumë Qeverinë Hoti për menaxhim të pandemisë. Tani cili është vlerësimi juaj për menaxhimin e pandemisë nga Qeveria Kurti?
Demolli: Po, është e vërtetë se LV-ja ka kritikuar pa kurrfarë argumentesh Qeverinë Hoti lidhur me menaxhimin e pandemisë Covid-19. Se ishin ato kritika të pavend e ka dëshmuar edhe vet koha. Të gjithëve na kujtohen kritikat e kryeministrit të tashëm, kur gjatë korrikut të vitit të kaluar ish-ministrit Zemaj, i drejtohej me thirrjen “ministri Zezaj” duke akuzuar se ministria e tij dhe qeveria po e mbush morgun e spitalit me të vdekur nga virusi Covid-19, me pretendimin se nuk po e menaxhojnë mirë pandeminë. E akuzonte Qeverinë Hoti, se po e mbushte morgun e spitalit, përkundër faktit se në Kosovë nga 13 marsi 2020 (rasti i parë me Covid-19) e deri më 31 korrik 2020, kishte 227 të vdekur nga Covid-19 apo mesatarisht nga 1,6 vdekje në ditë. Ndërsa aktualisht, pra gjatë periudhës gusht- shtator 2021 (vetëm brenda dhjetë ditëve të fundit të gushtit janë afro 200 të vdekur nga Covid-19), kur në Kosovë thuajse për çdo ditë të vetme kanë vdekur nga Covid-19 nga 20 deri në 36 persona. Ish opozita e atëhershme (LV) e qeveria e tashme, heshtë apo siç thotë populli “i ka shti veshtë në lesh”. Fatkeqësisht këto shifra alarmante lidhur me vdekjet nga Covidi tregojnë për menaxhimin jo vetëm të dobët por katastrofal të pandemisë nga ana e Qeverisë Kurti 2, në krye me ministrin e Shëndetësisë Vitia. Për shkak të keqmenaxhimit të kësaj qeverie me pandeminë, paramendoni Kosova ‘ia ka dalë’ që për fatin e keq të popullatës tonë të radhitet e para (pra t’i lë pas vetes edhe shtetet e Amerikës Latine) në botë për nga numri i të vdekurve nga Covidi në 1 milion banorë dhe të radhitet diku kah fundi për nga numri i personave të vaksinuar.
Përse ka ardhur deri te kjo gjendje, respektivisht deri të këto pasoja fatale për shumë familje kosovare, deri te ky numër kaq i madh i të vdekurve të të gjitha grupmoshave përfshirë edhe një numër të madh të shtatzënave, mendoj se fajtori kryesor respektivisht barra më e madhe e përgjegjësisë bie mbi Qeverinë Kurti 2, e cila u tregua e paaftë, neglizhente, indolente, thjeshtë një qeveri që nuk mund t‘i ofrojë popullatës shërbimet e duhura për mbrojtjen e shëndetit dhe jetës së qytetarëve të vet. Se nuk ishte në krye të detyrës, se nuk ishte e aftë kjo qeveri, tregojnë këto fakte: Ndonëse, tashmë po bëhen gjashtë muaj nga zgjedhja e Qeverisë Kurti 2, e njëjta ende nuk ia ka dalë që ta blejë asnjë vaksinë të vetme anti-Covid dhe ndoshta është e vetmja qeveri në botë që popullatës së vet i ka ‘ofruar’ vetëm vaksina të siguruara nga donacionet. Pra thjesht paraqet ‘qeverinë e lëmoshave nga gjithë bota’; Aq ishte e paaftë Qeveria Kurti 2 në këtë segment, sa që edhe vaksinat e falura (dhuruara) nuk ka ditur t’i përdor dhe menaxhojë si duhet, duke i lënë që t’ju skadojë afati i përdorimit mbi 133 000 dozave të vaksinave donacion nga Norvegjia, për të cilën aferë madje kanë shkruar edhe mediat botërore (Reuters etj.); Nën menaxhimin e kësaj qeverie, popullata e Kosovës ka përqindjen më të vogël të të vaksinuarve madje edhe në krahasim me vendet e regjionit, siç janë Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina etj.; Gjatë periudhës maj-korrik 2021, kur në Kosovë si pasojë e ardhjes së njerëzve tonë nga diaspora thuaja se u dyfishua popullata, kjo qeveri nuk ka ndërmarrë asnjë masë anti-Covid, sepse nuk kishte bërë asnjë studim, analizë, hulumtim apo planifikim, duke vepruar si një diletante e vërtetë, thuaja se pandemia kishte pushuar së ekzistuari dhe pa pasur fare idenë se në fund të gushtit popullata që qeveriset prej saj do të goditet nga vala fatale dhe e furishme e versionit delta të virusit Covid-19; Në shënjestër të virusit Covid (versionit delta) kryesisht ishin personat e pavaksinuar, konkretisht evidencat kanë treguar se 93 për qind të të infektuarve dhe 99 për qind të të vdekurve ishin nga radhët e personave të pavaksinuar.
Pasur parasysh të gjitha faktet e lartë theksuara, besoj se historia do ta gjykon këtë qeveri dhe do ta shpallë fajtoren kryesore për numrin kaq të madh të kosovarëve të vdekur nga Covidi-19. Sikurse vetëm pak të ndanin dhembjen me familjet e të vdekurve dhe shqetësimet e popullatës në përgjithësi, si dhe të ishin koshientë për pasojat kaq të rënda, tanimë kryeministri dhe ministri i saj i Shëndetësisë është dashur t’i ofronin dorëheqje Kuvendit të Kosovës. Në mos jodorëheqje, atëherë të paktën kryeministri dhe ministri i Shëndetësisë, është dashur t’i kërkonin publikisht një falje të sinqertë të gjitha familjeve të të vdekurve nga Covidi-19.

“Epoka e re”: Po në sektorë të tjerë si e vlerësoni punën e qeverisë?
Demolli: LV-ja si subjekt politik ka gabuar qysh para fitimit të pushtetit dhe krijimit të Qeverisë Kurti 2, sepse ka ardhur në pushtet përmes premtimeve megalomane, duke krijuar pritshmëri tejet të mëdha te qytetarët e Kosovës, duke premtuar se Kosovën do ta bëjnë parajsë për jetesë, duke premtuar se në momentin që do të vijnë në pushtet do ta luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin, do të luftojnë nepotizmin, do ta zhvillojnë ekonominë, arsimin, shëndetësinë, pra thjesht ka krijuar përshtypjen tek qytetari i rëndomtë, se pas ardhjes së tyre në pushtet populli ynë do të ushqehet ‘me lugë të dukatit’. Ndërsa në realitet kanë dëshmuar se nuk dallojnë fare nga qeveritë e mëparshme, pra janë plotësisht të njëjtë, vetëm se janë “të paketuar apo kamufluar” më ndryshe.
Njëri prej aktiviteteve të para politike të kësaj qeverie ka qenë punësimi i familjarëve (dajallarëve, axhallarëve, nipave, motrave, kunetërve etj.) nëpër borde, ministri, në PTK, në institucione të tjera të Kosovës, duke dëshmuar se edhe LV-ja nuk i paska familjarët vetëm për dasma, “kanaxheqe” e ndeja të tjera familjare (siç thoshte Kurti më parë), por i paska edhe për punësime.
Për dallim prej të tjerëve, kjo qeveri punësimin e familjarëve e arsyetonte me pretendimin (‘duke i hedh popullit hi syve’) se familjarët e tyre qenkan më të ‘dijshëm’ dhe me të ngritur profesionalisht se sa kandidatët tjerë. Jo vetëm kaq, kjo qeveri tregojë se vepron për interesa të ngushta partiake, duke i ndalë në njërën anë shtesat prej 30 euro për pensionistët e Kosovës në krizën më të madhe ekonomike, e në anë tjetër duke ua paguar polisën e sigurimit prej 15 euro mërgimtarëve që kanë standard disa herë më të lartë të jetesës. Pastaj, kjo qeveri në prill të këtij viti ndau 11 milionë euro, për pagesën e energjisë elektrike, konsumatorëve serb të veriut të Kosovës. Kur LV-ja ishte në opozitë preferonin sloganin “Serbia nuk kalon”, ndërsa tani kur janë në qeveri, ministrja e tyre e ka hequr taksën për bllokat e ndërtimit që importohen nga Serbia. Fatkeqësisht kjo qeveri, ka disa muaj që në një numër të madh të shteteve (përfshirë këtu edhe SHBA-të) e ka lënë Kosovën pa përfaqësim diplomatik në nivel ambasadorëve (përjashtim bëjnë Kroacia dhe Shqipëria ku janë nominuar ‘dostat’ e tyre). Dikur njerëzit e LV-së brohorisnin ‘me hajna, me hajna nuk ka shtet…’, ndërsa vet me të formuar qeverinë u zunë nga opozita në flagrancë për tentim vjedhjen e mbi dy milionë eurove në vit (mbi 400 mijë vetura herë 5 euro) përmes taksave prej 5 eurove për ‘stickersa’ (fletë ngjitjeve) në veturat e kontrolluara teknikisht, të cilin vendim paramendoni ishte i autorizuar për nënshkrim zëvendësministri Durmishi, sepse ministri Aliu ishte ‘i zënë’ me punë më madhore dhe ‘nuk kishte kohë’ të nënshkruante. Shumë shpejt u zbulua tentimvjedhja e tillë nga opozita dhe shoqëria kosovare në përgjithësi, andaj “qeveria e praktikantëve’ u detyrua që ta pezullojë vendimin mbi taksën për fletë-ngjitje. Kjo qeveri ka bërë edhe shumë e shumë gabime, lëshime, afera të tjera, jo vetëm në rrafshin vendor (‘blerja e votave’ për zgjedhjen e presidentes) por edhe në atë ndërkombëtar e sidomos në bisedime me Serbinë (siç është hapja e arkivave të UÇK-së, prolongimi i bisedimeve në dëm të Kosovës, favorizimi i BE-së në raport me SHBA-të, mos blerja e gazit nga kompanitë e SHBA-ve etj.), të cilat do t’i faturohen dhe do të bijën mbi kurrizin e shtetit të Kosovës dhe popullatës tonë. Pasur parasysh këto dhe lëshimet të tjera që janë të shumta, vlerësojë se kjo është njëra prej qeverive më të dobëta që ka pasur Kosova ndonjë herë, e cila karakterizohet ‘me fjalë e premtime shumë, e më punë pak’.

“Epoka e re”: Kjo qeveri është zotuar për disa reforma në fushën e drejtësisë. Në mesin e tyre është edhe procesi i vetingut. Ju keni qenë ministër i Drejtësisë sa sfiduese do të jetë ky proces për këtë qeveri?
Demolli: Lidhur me këtë çështje, fillimisht do të them se unë, si ish ministër i Drejtësisë, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës dhe ish ministër i FSK-së, jam pro procesit të vetingut dhe të konfiskimit të çdo lloji të pasurisë të fituar në mënyrë të kundërligjshme, pavarësisht se cilit subjekt politik i takon, pavarësisht se në cilën fushë ka vepruar personi që i nënshtrohet procesit, qoftë atë të gjyqësorit, administrative, të sigurisë, policisë, ekzekutivit, legjislativit etj. Por gjatë zhvillimit të këtyre proceseve duhet fokusuar në faktin, që pasuria e cila konsiderohet se është fituar në mënyrë të kundërligjshme të konfiskohet përmes procedurës penale, e kjo nënkupton se duhet qenë shumë të kujdesshëm qe një gjë e tillë mos të bëhet pa aktgjykim dënues. Secila nismë duhet të jetë e mbështetur në Kushtetutë dhe duhet pasur kujdes që mekanizmat e zbatimit të ligjit gjatë zhvillimit të këtyre proceseve të garantojnë të drejtat dhe liritë e njeriut. Sepse sa është i rëndësishëm luftimi i krimit të organizuar, korrupsionit dhe konfiskimi i pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme, po aq është i rëndësishëm edhe ofrimi i sigurisë juridike çdo qytetari të Kosovës, e në veçanti në raport me pasurinë dhe të drejtat pronësore të tij. Pra të gjithë ne duhet të angazhohemi maksimalisht për sigurinë juridike të qytetarit, e cila duhet konsideruar si një vlerë fundamentale apo bazament për çdo shoqëri demokratike, çfarë pretendon dhe dëshiron të jetë edhe shteti (shoqëria) kosovar. Mendoj se Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të përqendrohet në mbështetjen e mekanizmave shtetërore për zbatimin e legjislacionit aktual që rregullon konfiskimin e pasurisë me prejardhje të paligjshme, konkretisht në dispozitat e Ligjit për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë së Përfituar me Vepër Penale, i cili ka hyr në fuqi në janar 2019, zbatimi i të cilit është duke u zhvilluar me ritëm jo të kënaqshëm. Vet njerëzit e kësaj qeverie, po këtë sistem kosovar të drejtësisë deri dje (e mbase edhe aktualisht) e kanë konsideruar si “të kapur” nga politika, andaj nuk ka logjikë që sistemit të tillë “të kapur” dhe të “pa spastruar nga të kapurit” t’i jepen kompetenca shtesë. Prandaj, qeveria menjëherë duhet të fokusohet në fuqizimin e integritetit të sistemit prokurorial dhe gjyqësor, përmes procesit të vetingut.
Prandaj, Qeveria e Kosovës dhe sistemi ynë i drejtësisë duhet përpjekur maksimalisht që t’i “shtjerrin” të gjitha mundësitë që ofron legjislacioni ynë pozitiv për konfiskimin e pasurisë së kundërligjshme, që do të thotë se, nuk nevojitet “ndërhyrje revolucionare” në legjislacionin tonë për konfiskimin e pasurisë së paligjshme.

“Epoka e re”: Tashmë fushata për zgjedhjet lokale ka filluar. Sa është e përgatitur për këto zgjedhje LDK-ja?
Demolli: Pas zgjedhjeve nacionale të 14 shkurtit 2021, LDK-ja ka bërë ndryshime të theksuara në strukturat menaxhuese të saj. Për lidershipin e ri të LDK-së, një ndër sprovat e para të saj, pikërisht do të jenë zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor të këtij viti. Natyrisht LDK-ja në krye me Lumir Abdixhikun, ka bërë përgatitjet e duhura dhe iu ka qasur me një seriozitet të jashtëzakonshëm zgjedhjeve lokale të radhës. Fillimisht duke i konsoliduar strukturat partiake në nivel të degëve dhe nëndegëve në tërë Kosovën. Pastaj me kohë (disa muaj para zgjedhjeve, që është hera e parë që po ndodh në LDK) ka identifikuar kandidatët për kryetar të komunave si dhe kandidatët për këshilltarë komunal. Për këtë proces LDK-ja ka përzgjedhur kandidatët më të përgatitur, të zotët në profesionin e tyre, të gatshëm për t’ju shërbyer qytetarëve të tyre dhe çka është e rëndësishme për tu theksuar asnjëri prej të propozuarve nuk kishte probleme me ligjin (fakt që nuk ishte respektuar nga subjektet tjera politike). Po ashtu LDK-ja ka filluar me kohë (gjatë muajit qershor) me aktivitete konkrete parazgjedhore, siç janë formimi i shtabeve zgjedhore (p.sh. në Prishtinë etj.), hartimi i programeve zgjedhore, takimet e shpeshtuara të kandidatëve me strukturat e degëve dhe nëndegëve të LDK-së, kontaktet dhe takimet me grupet e qytetarëve dhe persona përgjegjës të institucioneve të ndryshme relevante kulturore, arsimore, sportive, biznesore, si dhe me përfituesit e drejtpërdrejtë të shërbimeve komunale e që janë qytetarët e rëndomtë të lokaliteteve urbane dhe rurale. Të gjitha këto veprime përgatitore dhe aktivitete parazgjedhore kanë ndikuara, që kandidatët e LDK-së e në veçanti ata për kryetar të komunave të dalin jashtëzakonisht mirë në sondazhet e ndryshme të organizuara qoftë në portale, programe televizive, radio, media të tjera apo edhe nga institucionet e specializuara për zhvillimin e sondazheve. Rrethanë kjo që e bënë LDK-në të ndihet mirë para fillimit të fushatës elektorale, e për të cilën fushatë LDK-ja për shkak të pandemisë me Covid-19, ka propozuar të shkurtohet nga 30 ditë në 7 ditë, e madje është e gatshme të garojë edhe pa fushatë fare. Duhet thënë se për dallim nga LV-ja e cila për shkak të zhvillimeve politike të disfavorshme për të (veçanërisht keqmenaxhimi i pandemisë) ka kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve lokale, LDK-ja është kundër shtyrjes së zgjedhjeve komunale, duke qenë e vetëdijshme se falë punës, aktivitetit, përgatitjeve dhe zhvillimeve politike, është krijuar atmosfera e tillë politike, e cila LDK-në do ta nxjerrë bindshëm të parën në këto zgjedhje, duke fituar jo vetëm numrin më të madh të kryetarëve dhe asamblistëve komunal, por edhe fitimin e komunave më të mëdha (përfshirë edhe komunën e Prishtinës). Pra, LDK-ja në këto zgjedhje pret jo vetëm fitore kuantitative (numrin më të madh të komunave) por edhe kualitative (fitore në komunat e mëdha).

“Epoka e re”: Cilat janë pritjet e juaja për këto zgjedhje. Në cilat komuna mendoni se do të triumfojë LDK-ja në këto zgjedhje?
Demolli: Lidershipi, strukturat e të gjitha niveleve (qendrore, degëve, nëndegëve), anëtarët, aktivistët, simpatizantët, kandidatët dhe të gjithë dashamirët e LDK-së, janë të bindur, besojnë dhe presin fitoren e sigurt dhe bindëse të LDK-së në këto zgjedhje. Duke pasur parasysh menaxhimin e suksesshëm, profesional dhe transparent të komunave që udhëhiqen nga kryetarët që janë të LDK-së, është e natyrshme që LDK-ja pret fitore të sigurt në këto komuna, pra në Gjilan, Pejë, Lipjan, Vushtrri, Istog, Viti dhe Fushë-Kosovë. Mirëpo përveç tyre jam i bindur se kandidatët e LDK-së do të rikthejnë, respektivisht do të fitojnë menaxhimin me disa komuna të cilat janë “humbur përkohësisht” dhe qytetarët e zhgënjyer nga keqmenaxhimi aktual i kryetarëve që vijnë nga subjektet tjera politike, do të rikthejnë besimin e tyre (sërish) tek kandidatët e LDK-së, siç është rasti me Prishtinën, Podujevën, Mitrovicën, Dragashin, Kamenicën, Suharekën, Rahovecin, Artanën etj.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gazmend Gjyshinca, nuk është lejuar që…