LDK-ja paralajmëron bojkot të Kuvendit nëse nuk lejohet formimi i komisionit hetimor

19 prill 2022 | 11:35

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, në seancën e Kuvendit ka thënë se nëse opozitës nuk lejohet formimi i Komisionit hetimor parlamentar për çështjet energjetike,  atëherë kjo parti nuk do të marrë pjesë më në votimet në Kuvend.

“Mohimi i kësaj të drejte për ne është përtej çdo limiti. Si deputet mund të konkludoj se nëse nuk formohet Komisioni hetimor parlamentar nuk ka më kuptim që LDK-ja të marrë pjesë në çfarëdo votimi në Kuvend. Nuk ka më kuptim që të votohen marrëveshjet ndërkombëtare nëse i mohohet opozitës të formojë komision hetimor”, ka thënë Gashi.

Ai ka thënë se s’ka më kuptim parlamentarizmi në Kosovë nëse mohohet formimi i Komisionit hetimor.

“Nëse opozitës i mohohet formimi i një komisioni hetues parlamentar nuk ka më kuptim parlamentarizmi. 40 deputetë janë kategori kushtetuese”, ka thënë Gashi.

Më tutje, Gashi ka thënë se beson se ka deputetë brenda LV-së që do të deklarohen se është gabim moslejimi i formimit të Komisionit parlamentar.

Opozita ka kërkuar që të votohet mocioni procedural për ta futur në rend të ditës formimin e Komisionit hetimor parlamentar për çështjen e energjisë elektrike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Granit Xhaka nuk e ka fshehur asnjëherë faktin se është…