Lëndimi i Jorge Martin trazon garën për titull – Në pikëpyetje pjesëmarrja në Sepang!

25 tetor 2026 | 10:59

Jorge Martin ka pësuar një frakturë në parakrahun e djathtë pas rrëzimit në garën Sprint në Phillip Island, duke vënë në pikëpyetje pjesëmarrjen e tij në Çmimin e Madh të Malajzisë, fundjavën e ardhshme.

Piloti spanjoll i Aprilia-s u rrëzua në kthesën e tetë, në xhiron e tetë, ndërsa po luftonte me Marc Márquez për fitoren.

Ekzaminimet e para zbuluan një frakturë të radiusit të njërës prej dy kockave të parakrahut, ndërsa ekzaminimet e mëtejshme me tomografi kompjuterike përjashtuan dyshimin për një frakturë të dytë në ulna. Sipas përditësimit të Aprilia-s, dëmtimi i konfirmuar është një frakturë pa zhvendosje e pjesës distale të radiusit, pranë kyçit të dorës.

Martin ishte shpallur i papërshtatshëm për garën e së dielës në Australi, e cila për fatin e tij nuk u zhvillua fare për shkak të kushteve atmosferike.

Megjithatë, ai nuk do të kthehet në Spanjë për trajtim, por do të qëndrojë në Australi për të vijuar trajtimin gjatë ditëve në vijim. Ky vendim lë të hapur mundësinë e një rikthimi të parakohshëm në Sepang vikendin e ardhshëm, por pjesëmarrja e tij nuk është konfirmuar dhe do të varet nga gjendja fizike dhe vlerësimi mjekësor.

Dëmtimi erdhi në momentin më të keq për Martin. Pas fitores në Sprint, Marc Marquez e mori sërish kryesimin e kampionatit, duke kaluar në avantazh prej 10 pikësh ndaj rivalit të tij spanjoll. Anulimi i garës në Phillip Island, nënkupton se asnjëri prej tyre nuk do të fitojë pikët e mundshme të garës kryesore australiane.

Nëse Martín nuk arrin të garojë në Malajzi, Márquez do të ketë mundësinë të zgjerojë avantazhin në klasifikimin e përgjithshëm. Edhe nëse rikthehet në Sepang, fraktura në parakrah mund t’ia vështirësojë frenimin, kontrollin e motorit dhe përballimin e ngarkesës fizike të një fundjave garash. Për Martin, sfida tashmë nuk është vetëm të rikuperohet, por të shmangë humbjen e mëtejshme të pikëve në garën vendimtare për titullin.

/ Klankosova.tv

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka deklaruar se vetëm gjatë…