LENI LETRAT!

06 mars 2020 | 11:24

Komunikimi përmes letrave nuk ka lidhje me burrështetas. Këto janë inate që i përkasin një epoke tjetër të kaluar tepër të dëmshme. Udhëheqësit tanë duhet të pinë kafe çdo mëngjes bashkë, të bisedojnë dhe të marrin vendime në interes të shtetit dhe qytetarëve. Leni letrat dhe kthejuni jetës normale institucionale, e mos i lodhni qytetarët se bollë kanë vuajtur!

Ismet RASHITI

Si duket inatet në mes udhëheqësve shtetërorë kanë shkuar aq larg sa që nuk po munden ta shohin në sy njëri-tjetrin. Të gjithë punojnë në një pallat, me disa dhjetëra metra larg njëri-tjetrit, por komunikimin kanë filluar ta bëjnë me letra! E pabesueshme dhe e pafalshme për një burrështetas. Si ka mundësi që Presidenti të takohet në SHBA me Aleksandër Vuçiqin, armikun shekullor të shqiptarëve, zëdhënësin e politikës shoviniste të Millosheviqit, e të mos takohet me kryeministrin e Kosovës vetëm disa metra larg njëri-tjetrit! Nga ana tjetër presidenti i shkruan letër kryeparlamentarës për organizimin e seancës, ose Kryeministri përpiqet me u taku me Presidentin, duke i shkruar letra njërën pas tjetrës për një takim. Kjo nuk ka të bëj fare me burrështetas të zgjedhur me votë të lirë e demokratike nga qytetarët e vendit tonë. Kjo mënyrë e sjelljes së udhëheqësve më të lartë shtetëror, jo vetëm që nuk është normale, por është krejt e papjekur dhe neveritëse.

Pse këto inate, pse gjithë kjo urrejtje?! Jam i sigurt që as vet nuk kanë shpjegim për këto sjellje kaq të papërgjegjshme, për t’mos thënë edhe kaq naive.

Kjo tregon më së miri se këta njerëz nuk janë të përgatitur me udhëheqë shtetin, me qenë burrështetas të vërtetë dhe me i dhënë zgjidhje të gjitha problemeve. Udhëheqësit tanë, nuk di nëse po e shohin se janë bërë edhe qesharak edhe irritues në sytë e popullit dhe të botës.

Jemi në situatën kur udhëheqësit tanë më të lartë shtetëror, duhet të takohen për çdo mëngjes, të pinë kafe bashkë dhe të bisedojnë për detyrat e ditës. Këto inate të pakuptueshme nuk i nderojnë, as njërin as tjetrin. Marrë në tërësi dhe shikuar realisht, nuk ka asgjë serioze që mund t’i ndanë e degdisë në këtë mënyrë. Mjafton të ulen pran njëri tjetrit, t’ia zgjasin dorën njëri-tjetrit dhe kaq.

Është krejt e natyrshme dhe ketë e dinë gjithi opinioni se në shtetet demokratike, ka shumë parti, ka mospajtime programore, ka gara zgjedhore, por që të gjitha këto përfundojnë pas zgjedhjeve dhe formimit të institucioneve shtetërore. Në momentin kur zgjedhen udhëheqësit shtetëror me shumicë votash, normalisht përfundojnë të gjitha inatet, të gjitha xhelozitë dhe jeta kthehet në normalitet. E gjithë vëmendja kthehet në zhvillimin e vendit, forcimin e institucioneve dhe krijimin e raporteve sa më të forta ekonomike, tregtare dhe politike me vendet e ndryshme të botës.

Kjo përgjegjësi, e ky bashkëpunim ndërinstitucional, në Kosovë duhet të jetë shumë më e madhe. Kemi probleme të mëdha me shtetet fqinje, kemi papunësi të madhe, institucione të reja jostabile dhe përpjekje të vazhdueshme për destabilizim nga ana Serbisë. Prandaj është krejt e palejueshme, e pazakonshme, madje edhe pajustifikueshme sjellja e udhëheqësve tanë në këtë mënyrë kaq të ulët e të dëmshme për vendin.

Leni letrat. Kthejuni jetës normale institucionale. Bashkëpunoni me njëri tjetrin në mënyrë normale si shqiptarë, si institucionalistë dhe si burrështetas të vërtetë. Letrat nuk janë gjë tjetër, përpos shprehje e papjekurisë politike dhe sjellje e papërgjegjësisë institucionale.

Para se të jini udhëheqës, jini njerëz, jini shqiptarë dhe qytetar të këtij vendi, i cili aq shumë ka nevojë për stabilitet politik dhe ekonomik. Mos i maltretoni qytetarët tuaj, ata që ju besuan të jini në krye dhe ata që presin një të ardhme më të mirë si çdo popull tjetër tërmal i këtij globi. Leni letrat, afrojuni, bisedoni e bashkëpunoni se nuk kini asgjë në mes veti, përveç inatit primitiv të dy-tre shekujve më parë !

Ju lutem leni letrat dhe kthejuni jetës normale dhe agjendës shtetërore. Republika e Kosovës ka shumë halle, shumë probleme të cilat edhe bashkërisht e kini vështirë t’i zgjidhni.

Pra leni letrat, e bashkë me letrat edhe inatet dhe kokëfortësitë që i përkasin të kaluarës primitive, e assesi jetës shoqërore bashkëkohore!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Linjat ajrore në botë mund të humbin më shumë se…